Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka komentuar nga burgu raportin e Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor për vitin 2025, i cili jep një vlerësim të gjendjes së integrimit ekonomik të vendeve të rajonit, përfshirë Shqipërinë.
Sipas raportit, Shqipëria renditet e fundit ndër ekonomitë e Ballkanit Perëndimor sa i përket klimës së biznesit, me një rezultat të përgjithshëm prej 56 pikësh, krahasuar me mesataren rajonale prej 66 pikësh. Ky rezultat nxjerr në pah sfidat e mëdha që vendi po përballet për të përmirësuar mjedisin për biznesin dhe për të harmonizuar standardet me vendet e tjera të rajonit.
Në një reagim të ashpër publik, Ilir Meta ironizon kryeministrin Edi Rama, duke iu referuar si “shakaxhiu i integrimit”. Meta thekson se, ndërsa në publik flitet për hapjen e kapitujve të integrimit në BE, realiteti është krejt ndryshe: “Largohemi nga standartet bazë të zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe shifrat flasin vetë”, shkruan Meta, duke nxjerrë në pah mospërputhjen mes deklaratave zyrtare dhe rezultateve konkrete të vendit në rajon./E.S