Varshava 1944: Kryengritja 63-ditore që mbeti simbol i qëndresës dhe tragjedisë

Më 2 tetor të vitit 1944 trupat naziste gjermane të Wermacht-it dhe divizionet Waffen-SS shtypën brutalisht Kryengritjen e armatosur të Varshavës, një prej revoltave më të famshme të Luftës së Dytë Botërore.

Përgatiti: Leonard Veizi

Më 1 gusht 1944, në orën 17:00 (e njohur si “Ora W”), Varshava u kthye në një fushë beteje. Shpërtheu Kryengritja e armatosur, e planifikuar nga Armata Krajowa (Ushtria Kombëtare), krahu kryesor i rezistencës polake. Qëllimi ishte madhor, por i rrezikshëm: çlirimi i kryeqytetit nga pushtuesit gjermanë përpara se trupat sovjetike të arrinin. Kjo do t’i jepte Polonisë mundësinë të rifitonte sovranitetin dhe të shmangte kontrollin e ardhshëm sovjetik. Për 63 ditë, kryengritësit – kryesisht të rinj dhe të pajisur dobët – iu kundërvunë divizioneve të stërvitura të Wehrmacht-it dhe Waffen-SS-it. Luftimet u shndërruan në një nga betejat urbane më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore.

Kostoja njerëzore

Revolta u mbyt në gjak dhe u pasua nga një tragjedi e dyfishtë: humbjet luftarake dhe masakrat kundër civilëve. Rreth 20.000 luftëtarë të rezistencës dhe 16–20.000 ushtarë gjermanë u vranë në përleshje.

Goditja më e rëndë iu dha civilëve të pambrojtur. Mbi 150.000 deri 200.000 civilë polakë u masakruan ose vdiqën nga uria, bombardimet dhe ekzekutimet masive, të kryera sidomos nga njësitë ndëshkimore gjermane, përfshirë atë të Dirlewanger-it. Pas shtypjes së revoltës më 2 tetor 1944, Hitleri urdhëroi shkatërrimin sistematik të qytetit. Rreth 80–85% e Varshavës u kthye në rrënoja, duke zhdukur një kryeqytet të tërë.

Tradhtia Sovjetike

Një element që e bën Kryengritjen e Varshavës thellësisht tragjike është pasiviteti i Ushtrisë së Kuqe. Trupat sovjetike ndodheshin vetëm disa kilometra larg, në anën tjetër të lumit Visla, por nuk ndërhynë. Historianët pajtohen se kjo ishte një lëvizje e qëllimshme politike e Stalinit për të lejuar gjermanët të shkatërronin rezistencën polake anti-komuniste. Në këtë mënyrë, pas luftës, Polonia do të binte lehtësisht nën kontrollin sovjetik. Megjithëse e dështuar ushtarakisht, Kryengritja mbeti një simbol i fortë i qëndresës dhe sakrificës së popullit polak për lirinë. Ajo e ekspozoi kombin ndaj terrorit nazist dhe dominimit të ardhshëm sovjetik, duke u kthyer në një kujtesë të gjallë që përkujtohet çdo 1 gusht.

Lexo edhe :  1991 – Rrethimi i Dubrovnikut: Lufta prek një qytet të trashëgimisë botërore

Kinemaja si dëshmi

Kryengritja e Varshavës nuk është vetëm një kapitull historik, por një plagë e pashëruar që gjeti shprehjen e saj më të fuqishme në art, veçanërisht në kinematografi, duke transformuar tragjedinë në kujtesë universale. Kinemaja polake e ka trajtuar Kryengritjen në mënyrë direkte, duke ndërtuar ura të rëndësishme të kujtesës.

“Kanał”

“Kanał” Apo “Kanali” i vitit 1957 nga Andrzej Wajda është një film ikonë tregon fatin e një grupi luftëtarësh që kërkojnë shpëtimin duke u endur nëpër tunelet e kanalizimeve. Ngushtësia dhe errësira e kanaleve shndërrohet në metaforën e shpresës që po shuhet.

“Miasto 44”

“Miasto 44” apo “Qyteti 44” i vitit  2014 nga Jan Komasa. Ky prodhim kinematografik është një qasje më moderne dhe vizualisht epike, e cila i riktheu skenat e luftës urbane përmes syve të një brezi të ri që guxoi të besonte tek liria, përballë një armiku gjigant.

Këto vepra dëshmojnë se, edhe kur qytetet digjen dhe trupat bien, shpirti i rezistencës nuk shuhet. Në art, ky shpirt shfaqet në melodinë e pianos, në hapat e fundit nëpër errësirë, dhe në ëndrrat e rinisë.

Kryengritja e Varshavës mbetet kështu një histori jo vetëm e gjakut dhe flakës, por edhe e kujtesës dhe artit, i cili i ka dhënë kësaj revolte një vend të përhershëm në ndërgjegjen botërore.

“Pianisti”

Një nga pasqyrimet më prekëse nuk vjen drejtpërdrejt nga lufta, por nga pasojat e saj. Filmi i Roman Polanskit, “Pianisti” i vitit 2002, tregon historinë e vërtetë të Władysław Szpilman-it, një pianist hebre që lufton për mbijetesë mes shkatërrimit të Varshavës. Polanski, vetë një i mbijetuar i Holokaustit në Poloni, e përdor fatin e Szpilman-it si një metaforë të qytetit. Edhe pse pianisti nuk është një kryengritës, çdo hap i tij nëpër Varshavën e djegur është një dëshmi vizuale e rezultatit të shtypjes së revoltës së vitit 1944. Muzika e tij bëhet zëri i heshtur i një populli që po zhdukej, duke simbolizuar shpirtin që kërkon të mbijetojë mbi rrënoja. Filmi, fitues i Palmës së Artë dhe tre Oscar, e shndërroi tragjedinë polake në një përjetim universal.