Më 3 tetor 1952, Britania e Madhe testoi me sukses bombën e saj të parë atomike, duke hyrë zyrtarisht në radhët e fuqive bërthamore. Ky moment historik u kodua me emrin Operacioni “Hurricane” dhe u zhvillua në ishujt Monte Bello, në brigjet e Australisë Perëndimore.
Eksperimenti konsistoi në shpërthimin e një bombe me fuqi goditëse prej 25 kilotonësh, të vendosur brenda një anijeje të ankoruar në det. Testi kishte jo vetëm rëndësi shkencore e ushtarake, por edhe politike: ai konfirmoi se Londra zotëronte tashmë teknologjinë më shkatërruese të kohës, duke u bërë fuqia e tretë në botë, pas Shteteve të Bashkuara (1945) dhe Bashkimit Sovjetik (1949).
Vendimi për të zhvilluar bombën nuk ishte i lehtë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Britania kishte qenë pjesë e Projektit Manhattan, por pas vitit 1946, Shtetet e Bashkuara vendosën kufizime të rrepta mbi ndarjen e sekreteve bërthamore. Kjo e detyroi qeverinë britanike të nisë programin e saj të pavarur, për të ruajtur statusin si fuqi e madhe në një botë të ndarë nga Lufta e Ftohtë.
Megjithatë, ndryshe nga Uashingtoni dhe Moska, që nisën një garë të ethshme armatimesh bërthamore, Britania mbajti një qasje më të matur. Programi i saj kishte një karakter më shumë politik dhe strategjik: të siguronte peshën e saj në arenën ndërkombëtare, të forconte aleancën me SHBA-në dhe të ruante rolin e saj në NATO.
Testi i vitit 1952 dëshmoi se edhe pse e goditur rëndë nga shkatërrimet e luftës dhe në rënie ekonomike, Britania ende kishte potencial të renditej ndër fuqitë kryesore të botës. Por më tej, ajo nuk do të konkurronte në shkallën e prodhimit masiv të armëve bërthamore si SHBA dhe Bashkimi Sovjetik.
Operacioni “Hurricane” mbetet një pikë kthese jo vetëm për historinë ushtarake britanike, por edhe për të gjithë epokën bërthamore, ku fuqia e shkatërrimit u bë një mjet politik po aq sa ushtarak.
Përgatiti: L.Veizi