1993- Beteja e Mogadishos, si dështuan marinsat amerikanë në Somali

Në fillim të viteve ’90, Somalia ishte zhytur në kaos pas rrëzimit të diktatorit Siad Barre. Vendi u copëtua nga lufta civile dhe nga rivaliteti i klaneve, ku një nga figurat më të fuqishme ishte Mohamed Farrah Aidid, lider i milicive të fuqishme të klanit Habr Gidr.

Përballë urisë masive dhe shpërbërjes së shtetit, Organizata e Kombeve të Bashkuara nisi një operacion humanitar. Trupat amerikane, si pjesë e misionit “UNOSOM II”, kishin detyrën të siguronin shpërndarjen e ndihmave dhe të mbanin rendin. Por shpejt ky mision u përplas me realitetin brutal të luftës së brendshme: Aidid nuk pranoi të nënshtrohej, duke sulmuar vazhdimisht forcat paqeruajtëse dhe duke i parë ato si një kërcënim për pushtetin e tij.

Më 3 tetor 1993, një njësi elitare amerikane – Rangers dhe Delta Force – nisi një operacion të shpejtë për të kapur komandantë të lartë të Aididit, të mbledhur në një ndërtesë në zemër të Mogadishos. Fillimisht gjithçka dukej e organizuar: helikopterët Black Hawk mbështesnin inkursionin tokësor, dhe rrethimi i objektivit u krye me shpejtësi. Por situata doli shpejt jashtë kontrollit.

Milicitë e Aididit, të paralajmëruar dhe të organizuar nëpër rrugicat e ngushta të qytetit, ngritën barrikada dhe hapën zjarr me armë automatike dhe raketahedhës kundër helikopterëve. Dy Black Hawk u rrëzuan, duke e kthyer operacionin në një përplasje të përgjakshme urbane.

Për më shumë se 15 orë, Rangers dhe Delta Force u gjendën të rrethuar nga qindra luftëtarë somalezë. Luftimet u shndërruan në një betejë rrugë më rrugë, derë më derë, ku marinsat amerikanë përpiqeshin të mbronin jetën e tyre dhe të nxirrnin shokët nga helikopterët e rrëzuar. Në këtë betejë u dalluan edhe akte heroizmi, si ai i dy snajperëve të forcave Delta, Randy Shughart dhe Gary Gordon, të cilët ofruan mbrojtjen e fundit të ekuipazhit të një prej helikopterëve, duke sakrifikuar jetën e tyre.

Lexo edhe :  30 shtator 1965 – Grushti i shtetit, vitet e errëta të Indonezisë nën gjeneralin Suharto

Bilanci ishte dramatik: 19 ushtarë amerikanë u vranë dhe rreth 75 të tjerë u plagosën. Humbje pati edhe në radhët e paqeruajtësve ndërkombëtarë – dy të vrarë. Nga ana e milicive somaleze, humbjet ishin shokuese: afro 500 të vrarë dhe mbi 1000 të plagosur. Pamjet e trupave të tërhequr zvarrë në rrugët e Mogadishos tronditën opinionin publik amerikan dhe botëror.

Pas kësaj ngjarjeje, e njohur si “Beteja e Mogadishos” ose “Black Hawk Down”, Shtetet e Bashkuara rivlerësuan ndërhyrjen e tyre në Somali dhe, pak muaj më vonë, u tërhoqën nga misioni.

Sa i përket vetë Mohamed Farrah Aidid, ai mbeti një figurë dominuese dhe e frikshme në Somalinë e asaj kohe. Por fuqia e tij nuk ishte e pacënueshme: më 1996, tre vjet pas betejës së Mogadishos, ai u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me rivalët e tij, duke lënë pas një trashëgimi të errët në historinë e vendit.

Përgatiti: L.Veizi