Më 3 tetor 1990, pas më shumë se katër dekadash ndarje, pushon së ekzistuari Republika Demokratike Gjermane (RDGJ), e njohur gjerësisht si Gjermania Lindore. Ky moment do të hynte në histori si dita e ribashkimit gjerman, fundi i një ndarjeje artificiale që kishte simbolizuar gjithë Luftën e Ftohtë.
Fillimet e kësaj ndarjeje shkojnë pas Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania u nda në sfera ndikimi mes fuqive fituese: Lindja nën kontrollin sovjetik dhe Perëndimi nën atë amerikan, britanik dhe francez. Në vitin 1949 lindën dy shtete gjermane: Republika Federale e Gjermanisë (RFGJ) në Perëndim, me sistem demokratik dhe ekonomi të tregut, dhe RDGJ në Lindje, nën modelin socialist të Bashkimit Sovjetik. Simboli më i dukshëm i kësaj ndarjeje u bë Muri i Berlinit, ngritur më 1961, që ndante jo vetëm qytetin, por edhe familje e fate njerëzish.
Por në fund të viteve ’80, bota po ndryshonte me shpejtësi. Revoltat popullore në Europën Lindore, përplasjet politike dhe dobësimi i Bashkimit Sovjetik sollën krisjet e para të sistemit komunist. Në Gjermaninë Lindore, demonstratat masive të vitit 1989 rrëzuan regjimin e Partisë Socialiste të Unitetit (SED). Kulmi erdhi më 9 nëntor 1989, kur ra Muri i Berlinit, duke hapur rrugën për një bashkim të pashmangshëm.
Pas muajsh negociatash mes dy qeverive gjermane dhe fuqive ndërkombëtare (SHBA, BRSS, Britania e Madhe dhe Franca), më 3 tetor 1990, RDGJ shpalli zyrtarisht bashkimin e saj me Republikën Federale të Gjermanisë. Që prej asaj dite ekziston vetëm një shtet i bashkuar: Republika Federale e Gjermanisë, e njohur thjesht si Gjermania.
Kancelari perëndimor Helmut Kohl u bë udhëheqësi i parë i një Gjermanie të ribashkuar, duke u përballur me sfidat e integrimit të dy sistemeve diametralisht të kundërta – një ekonomi kapitaliste të zhvilluar dhe një sistem socialist të rrënuar.
Ribashkimi gjerman nuk ishte vetëm një ngjarje kombëtare. Ai pati pasoja të mëdha ndërkombëtare. Bashkimi i dy Gjermanive shënoi fundin e epokës së blloqeve në Europë dhe i hapi rrugë rrëzimit përfundimtar të regjimeve komuniste në Europën Qendrore dhe Lindore. Pas tij, vendet e rajonit filluan të përqafonin demokracinë dhe ekonominë e tregut, duke ndryshuar përfundimisht hartën politike të kontinentit.
Ribashkimi i vitit 1990 mbetet një nga momentet më të rëndësishme të shekullit XX – jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për mbarë Europën, si shembulli më i fuqishëm se si një komb i ndarë nga ideologjitë mund të bëhej sërish një.
Përgatiti: L.Veizi