Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, doli sot para mediave pas shpalljes së listës me 27 lojtarë për dy sfidat e radhës në kualifikueset e Botërorit, kundër Serbisë dhe Letonisë. Tekniku brazilian theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të ndeshjes ndaj Serbisë, duke e cilësuar “shumë të vështirë”, por shprehu bindjen se kuqezinjtë kanë potencial për të marrë rezultat pozitiv.
“Besoj absolutisht te lojtarët tanë. Nuk është momenti i eksperimenteve. Është koha e lojtarëve me eksperiencë dhe jam i kënaqur me listën që kemi grumbulluar”, tha Silvinjo.
Trajneri nënvizoi se ndeshja ndaj Serbisë nuk është përfundimtare, por mjaft vendimtare për rrugëtimin drejt Botërorit. “Duhet të paraqitemi shumë mirë për të marrë fitoren. Nëse çdo gjë shkon mirë, ekziston edhe mundësia e play-off-it. Objektivi ynë është vendi i dytë, pasi Anglia është ekipi më i fortë i grupit”, u shpreh ai.
Silvinjo dha shpjegime edhe për mungesat:
Gripshi i ndjekur prej muajsh dhe i pëlqen trajnerit, por aktualisht nuk ka hapësirë.
Mehmeti ka konkurrencë të fortë në krahun e majtë, ndaj nuk është thirrur.
Seferi me kontribut të madh në të kaluarën, por këtë herë ka mbetur jashtë.
Muçi po përshtatet me klubin e ri dhe nuk është përfshirë në këtë grumbullim.
Tekniku brazilian vlerësoi paraqitjet e tre portierëve të grumbulluar, duke theksuar se Dajsinani po kalon një moment të mirë, ndërsa Simoni shihet si “investim për të ardhmen”. Në lidhje me gjendjen psikologjike të lojtarëve, ai tha se ekipi është i përgatitur për të dhënë maksimumin në fushë: “Nuk është çështje psikologjike, por përqendrim dhe përgatitje. Kemi besim të plotë te forcat tona”.
Ashtu siç ishte paracaktuar nga marrëveshja mes federatave, në sfidën e Leskovacit nuk do të ketë tifozë shqiptarë, njësoj siç nuk pati tifozë serbë në ndeshjen e Tiranës. Silvinjo u shpreh se stadiumi i ri nuk përbën ndryshim për Kombëtaren.