Mbrojtësi Adrian Bajrami ka qenë njëri nga emrat më të përfolur së fundmi, pasi ka vendosur të braktisë kombëtaren e Shqipërisë për të filluar karrierën te Zvicra, ku tashmë është ftuar për dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese të muajit tetor.
Papritmas, gjithçka po ndodh shumë shpejt për mbrojtësin e ri shqiptar, Adrian Bajrami. Tre muaj pas kthimit të tij në Superligën e Zvicrës, ai është në skuadrën e Murat Jakin për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026.
“Telefoni im po nxehet shumë. Po marr një numër të madh mesazhesh dhe urimesh nga familja dhe miqtë, gjë që sigurisht më bën shumë, shumë të lumtur”, ka thënë fillimisht Bajrami për “Blick” disa orë pas thirrjes së tij të parë në ekipin kombëtar të Zvicrës.
“Nuk njoh shumë prej tyre ende”, shtoi Bajrami për bashkëlojtarët e rinj dhe ka një arsye për këtë.
“E njoh Zeki Amdounin nga ekipi kombëtar, i cili luajti me mua te Benfika vitin e kaluar”. “Po nga lista aktuale e skuadrës? Sigurisht, edhe Fabian Rieder; kam luajtur me të në ekipin e të rinjve të Jang Bojs. Ai është ende një bashkëlojtarë shumë i mirë i imi. Por mezi pres të shoh edhe të gjitha fytyrat e tjera”, shtoi mbrojtësi.
Pritje e veçantë për Granit Xhakën
Një temë e veçantë është kapiteni i ekipit kombëtar Granit Xhaka. Ai ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen duke marrë lojtarë të rinj nën kujdesin e tij. Shembulli më i mirë është Ardon Jashari, i cili aktualisht është i lënduar. “Çfarë kontakti ka Bajrami me Xhakën? Nuk e njoh personalisht ende, por mezi pres ta takoj. Ai është një model për shumë futbollistë të rinj. Ishte e njëjta gjë edhe për mua. Gjithmonë e kam admiruar Granitin”.
Bajrami dikur ishte një përfaqësues i Zvicrës U18. Gjatë kohës së tij te Benfika, ai vendosi të kalonte te Shqipëria.
“Unë kam lindur dhe jam rritur në Zvicër. Është shtëpia ime. Që kur fillova të luaja për FC Luzern, e kam kuptuar edhe më shumë sa rehat ndihem këtu. Nuk mundem, nuk dua dhe nuk do t’i fsheh kurrë rrënjët e mia nga Shqipëria; jam krenar për to. Por në thelb, është e qartë se ndihem si në shtëpi në Zvicër”, përfundoi mbrojtësi i ri zviceran. m.p.