Grushti i Shteti në Honduras, rrëzohen reformat demokratike të Presidentit legjitim

3 tetor 1963 – Honduras, Amerika Qëndrore

Udhëheqësi ushtarak Oswaldo López Arellano rrëzon nga pushteti Presidentin legjitim Ramón Villeda Morales, duke i dhënë fund një periudhe të shkurtër reformash demokratike. Grushti i shtetit u zhvillua më 3 tetor 1963, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të planifikuara, ku pritej të fitonte kandidati i partisë liberale.

Me qindra njerëz u arrestuan, shumë u burgosën pa gjyq dhe të tjerë u ekzekutuan gjatë trazirave që pasuan. Ngjarja ishte tipike për Amerikën Latine të asaj kohe, ku ushtria, shpesh e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, shihte veten si garant të rendit dhe pengesë ndaj “rrezikut komunist”.

López Arellano (1921–2010), kolonel i ushtrisë dhe i lidhur ngushtë me elitën ekonomike të vendit, e justifikoi puçin duke e paraqitur si “mbrojtje nga komunizmi” dhe nga reformat sociale që synonin shpërndarjen e tokave tek fshatarët. Ai do të qëndronte në pushtet deri më 1971, dhe sërish do të rikthehej si president pas një grushti tjetër shteti më 1972.

Ndërkohë, Ramón Villeda Morales (1909–1971), i njohur si një reformator progresist dhe përfaqësues i Partisë Liberale, u dërgua në mërgim. Ai ishte mjek me profesion dhe kishte fituar mbështetjen e popullit për politikat e tij sociale, si ndërtimi i spitaleve, shkollave dhe reforma në arsim e shëndetësi.

Pasojat e grushtit të shtetit do të ndiheshin për dekada: demokracia në Honduras u zëvendësua nga një sërë regjimesh ushtarake, ndërsa vendi u shndërrua në një bazë strategjike për interesat e SHBA-së në rajon. Dy vite më vonë, ushtria e Hondurasit do të ndihmonte marinsat amerikanë në ndërhyrjen ushtarake në Republikën Domenikane (1965), duke treguar qartë orientimin e vendit në politikën e jashtme gjatë Luftës së Ftohtë.

Përgatiti: L.Veizi