Krizë uji në Iran/ Presidenti: Do zhvendosim kryeqytetin nga Teherani

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar se vendi nuk ka më zgjidhje tjetër përveç zhvendosjes së kryeqytetit nga Teherani drejt jugut, për shkak të krizës së rëndë të furnizimit me ujë dhe rrezikut në rritje të fundosjes së tokës.

Pezeshkian tha se këtë propozim ia kishte paraqitur udhëheqësit suprem Ajatollah Ali Khamenei që vitin e kaluar, por ideja fillimisht u kritikua. Megjithatë, sipas tij, situata është bërë e padurueshme dhe kërkon masa drastike.

“Problemet me të cilat po përballet vendi kërkojnë që ne të drejtojmë zhvillimin drejt Gjirit Persik. Teherani, Karaxhi dhe Qazvini janë në një krizë të thellë uji që nuk mund të zgjidhet lehtë,” – deklaroi presidenti.

Sipas të dhënave zyrtare, Teherani me mbi 10 milionë banorë konsumon rreth 25% të ujit të vendit. Kriza është përkeqësuar nga mungesa e reshjeve, tharja e digave dhe ulja drastike e ujërave nëntokësore. Në disa zona, toka po ulet deri në 30 cm në vit, një tregues i qartë i zhdukjes së rezervave ujore.

“Zhvillimi pa marrë parasysh ndikimin mbi burimet natyrore dhe kostot do të sjellë vetëm shkatërrim,” – paralajmëroi Pezeshkian.

Presidenti propozoi që kryeqyteti të zhvendoset në rajonin e Hormozganit, për shkak të pozicionit strategjik me dalje në ujërat ndërkombëtare dhe potencial të madh ekonomik.

Nuk është hera e parë që në Iran diskutohet një lëvizje e tillë. Edhe ish-presidenti Hassan Rouhani kishte ngritur idenë e zhvendosjes së kryeqytetit, por pa konkretizuar një plan të tillë.