Mbyllen shkollat dhe bllokohen rrugët! 20 mijë qytetarë mbushin sheshet e Bolonjës

Qendra e qytetit të Bolonjës në Itali është mbushur mëngjesin e kësaj të premte nga mijëra qytetarë, studentë e përfaqësues të sindikatave, të cilat kanë marshuar në mbrojtje të Gazës. Lufta shkatërrimtare e izraelit ka zgjuar mbështetje për gazanët në gjithë botën.

Marshimi filloi nga Piazza Malpighi pak para orës 10:00 të mëngjesit, mbërriti në Piazza Maggiore, me rreth 10,000-20,000 pjesëmarrës. Ndërkohë, sindikatat bazë dhe studentët mbushën të gjithë aksin e Via Ugo Bassi dhe Via Rizzoli, duke sjellë dhjetëra mijëra të tjerë.

Mediat italiane raportojnë se numri i njerëzve është aq i lartë sa është e vështirë të vlerësohet numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve, madje edhe për vetë organizatorët.

Shumë shkolla dhe qendra kujdesi për fëmijë janë të mbyllura, si dhe kantieret e ndërtimit të tramvajit. “Janë të gjitha të bllokuara. Dhe fabrikat janë bosh”, deklaron Michele Bulgarelli, sekretar i përgjithshme i sindikatës CGIL të Bolonjës.

“Qyteti nuk ka qenë kurrë kaq plot me njerëz në rrugë”, shton ai. “Ne jemi shumica në vend; qeveria duhet ta marrë parasysh këtë.” m.p.