Kryeministri Edi Rama ka shpallur masa të reja për mbrojtjen e territorit dhe hapësirave publike, duke paralajmëruar se regjistrimi i tyre do të jetë tashmë një detyrim ligjor.
Në një konferencë për mediat, Rama theksoi se çdo metër katror rreth godinave është pronë publike, e cila nuk mund të tjetërsohet apo shfrytëzohet nga pronarët privatë.
“Nuk mund të ketë aty gardhe, leje të tjera për privatin. Është hapësirë publike dhe i takon të gjithëve. Të jenë të qartë ata që sot janë zaptues, por edhe gjykatësit që në rastin më të mirë mbyllin sytë dhe japin masa sigurie në favor të tyre,” tha Rama.
Ai nënvizoi se gjyqtarët nuk kanë të drejtë të legjitimojnë zaptimin e hapësirës publike, duke e cilësuar të papranueshme që një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian të ketë ende probleme me respektimin e pronës publike.
Sipas Ramës, ky ndryshim ligjor do të garantojë një standard europian në administrimin e pronës publike dhe do të ndëshkojë çdo tentativë për ta kthyer atë në interes privat./E.S