Mondiacult 2025 në Barcelonë, kultura si urë për dialogun ndërkombëtar!

Nga 29 shtatori e deri më 1 tetor 2025, Barcelona u shndërrua në kryeqendër të kulturës botërore, duke pritur konferencën Mondiacult 2025, të organizuar nga UNESCO në bashkëpunim me qeverinë spanjolle. Në fokus të edicionit ishte ideja se kultura mund të shërbejë si urë për dialog mes vendeve dhe si faktor për ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme.

Në ceremoninë e hapjes, kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, e përshkroi konferencën si një moment ku kultura duhet të mbrohet si “pasuri publike globale”.

Ministri spanjoll i Kulturës, Ernest Urtasun dhe zv.drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s për Kulturën, Ernesto Ottone, prezantuan axhendën që përfshinte publikimin e raportit të parë botëror mbi gjendjen e kulturës, si dhe thirrjen që kultura të përfshihet si objektiv i veçantë zhvillimi në kuadrin e OKB-së pas vitit 2030.

Gjatë tre ditëve, më shumë se 150 ministra të kulturës dhe delegacione nga mbi 160 vende morën pjesë në seanca plenare e tematike, ku u trajtuan çështje kyçe si: të drejtat kulturore, kultura në epokën dixhitale, integrimi i kulturës në edukim, ekonomia e kulturës, dimensionet kulturore të ndryshimeve klimatike dhe mbrojtja e trashëgimisë në situata emergjente.

Një risi e Mondiacult 2025 ishte Ágora Cívica, një forum qytetarësh që shërbeu si hapësirë për debat dhe pjesëmarrje të komunitetit artistik dhe të shoqërisë civile. Po ashtu, u zhvillua MondiaYouth, një konferencë e dedikuar për të rinjtë 18–25 vjeç, që solli në tryezë perspektiva të reja mbi sfidat kulturore globale.

Në mbyllje të konferencës u miratua Deklarata Përfundimtare e Barcelonës, ku pjesëmarrësit shpallën në mënyrë unanime se kultura duhet të njihet si e drejtë njerëzore universale dhe të përfshihet si objektiv i veçantë në axhendën e zhvillimit global pas viti 2030.

Lexo edhe :  PD ende në mjegull për Tiranën/ Pse Xhelal Mziu nuk e do Gazment Bardhin?

Deklarata theksoi se pa kulturë nuk ka demokraci të qëndrueshme dhe pa paqe nuk ka drejtësi, duke e vendosur kulturën në qendër të sfidave globale si klima, paqja dhe tranzicionet ekologjike.

Megjithatë, sfidat mbeten të pranishme. UNESCO paralajmëroi se nevojitet financim i qëndrueshëm për kulturën, në mënyrë që ajo të mos mbetet privilegj vetëm për pak vende të pasura.

Mondiacult 2025 në Barcelonë u mbyll si një nga konferencat më të rëndësishme globale të kulturës, duke lënë pas mesazhin se kultura nuk është vetëm vlerë estetike, por pjesë thelbësore e zhvillimit shoqëror, politik dhe ekonomik/shqip.al/kb