Forcat izraelite kanë ndaluar 39 anije me aktivistë ndërkombëtarë dhe ndihma humanitare me destinacion Gazën. Flotilja publikoi video në Telegram, ku disa prej aktivistëve shfaqeshin duke mbajtur pasaportat e tyre dhe duke pretenduar se ishin rrëmbyer dhe dërguar në Izrael kundër vullnetit të tyre.
Ministria e Jashtme e Greqisë njoftoi se 27 shtetas grekë pjesëmarrës në flotilje janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka prova për ushtrim dhune ndaj tyre.
Sipas raportimeve, anijet u ndaluan rreth 70 milje larg Gazës, në ujëra ndërkombëtare, ku Izraeli nuk ka juridiksion. Ushtria izraelite tha se anijet do të shoqëroheshin drejt portit të Ashdodit, ku ndihmat do të inspektoheshin përpara se të dërgoheshin në Rripin e Gazës.
“Po i afroheni një zone të bllokuar. Nëse dëshironi të dërgoni ndihma, ju lutemi përdorni kanalet përkatëse. Ndryshoni kursin drejt Ashdodit, ku ndihmat do të kontrollohen dhe më pas do të hyjnë në Gaza”, deklaroi ushtria izraelite.
Megjithatë, aktivistët e quajtën këtë një akt dëshpërimi dhe jo mbrojtjeje. Ata pretendojnë se mbi ta janë përdorur edhe topa uji, ndërsa mbi 400 persona janë arrestuar. Nga ana e saj, IDF këmbëngul se të gjithë aktivistët janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Veprimi i Izraelit ka ngjallur reagime të forta ndërkombëtare. Presidenti i Kolumbisë dëboi diplomatët izraelitë duke e quajtur incidentin “krim nga ana e kryeministrit izraelit”. Edhe Bashkimi Evropian shprehu mbështetje për aktivistët dhe kritikoi ndalimin e flotiljes në ujërat ndërkombëtare.