Pse PD “madhështore” s’ka emra por i lutet Edlirës apo Ermalit nga partitë e vogla?

Nga Kreshnik Spahiu

Ermal Hasimja i propozuar nga Partia Mundësia, Edlira Çepani, ish-drejtuese e “Shqipëria Bëhet”, Florian Haçkja nga shoqata “Diaspora”, janë tre emrat që sot do vendosen në tryezën e Berishës, pasi i gjithë grupi parlamentar refuzoi të kandidonte.

Arsyeja është e thjeshtë: askush nuk ishte gati të rrezikonte mandatin e deputetit për një garë që nuk mund ta fitonte, atë për Bashkinë e Tiranës. Por a do të gjunjëzohet dhe dorëzohet Berisha, duke ulur veten dhe shtrirë dorën partive të vogla apo shoqatave?

Partia Demokratike dikur nuk kishte nevojë për koalicione. Ajo garonte e vetme dhe nxirrte personalitete të forta në betejën për Tiranën: Sokol Olldashi, Besnik Mustafai, Lulzim Basha, Spartak Ngjela, Halim Kosova.

Dikur, radha në zyrën e Berishës ishte disa kilometra e gjatë me njerëz që prisnin të kandidonin në emër të PD-së për Tiranën.

Sot, Berisha ka prekur fundin:

Nuk ka më doktorin e nderuar Halim Kosova, por i lutet nipit të tij nga diaspora.

Nuk ka më Lulzim Bashën, që e krijoi, projektoi dhe e investoi personalisht 20 vjet si kryeministërin e ardhshëm, por i drejtohet Ermal Hasimes, të cilin e kishte pranë por e distancoi që në kohën e KOP-it.

Nuk ka më as Gerti Bogdanin, të cilin e refuzoi të kandidonte për Tiranën, por sot i lutet bashkëshortes së tij të ve, Edlirës.

Ermali, Edlira dhe Floriani janë personalitete që meritojnë shumë respekt – jo vetëm për integritetin në profesionet e tyre, por edhe sepse, pa dashur, e kanë gjunjëzuar Berishën në sytë e publikut. Kandidimi i tyre pasqyron dy të vërteta të hidhura:

Së pari, PD ka shteruar burimet njerëzore dhe është kthyer në një tokë të djerrë, ku lisat janë prerë që në kohën kur ishin fidane.

Lexo edhe :  Drejtësi, pafajësi, plumba

Së dyti, Berisha kërkon një emër jashtë partisë, që më pas t’ia faturojë atij humbjen.

Fatkeqësisht, ende pa u shpallur kandidatura, filluan sulmet dhe baltosjet e brendshme: të tre akuzohen si “sorosianë”, “anti-berishë”, “komunistë”.

A do të pranojnë të përdoren si alibi për humbjen e Partisë Demokratike?

Ky është problemi i tyre dhe nuk i takon askujt të ndërhyjë në planet që kanë në të ardhmen.

Gjithsesi një gjë është e sigurt: Berisha nuk i afron për të fituar. Atij i duhen vetëm për të ndarë humbjen.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës është gjithmonë konsideruar si paradhoma për t’u bërë kryeministër. Berisha këtë privilegj nuk e ruajti për Edlirën, Ermalin apo Florianin. Ata kanë qenë aty prej kohësh, por nuk janë konsideruar kurrë as për poste simbolike.

Tani, thjesht, i duhen për të firmosur një humbje që do të harrohet më 7 nëntor – vetëm 24 orë pas rezultatit. Sot, Berisha nuk ka harruar vetëm si të fitojë; ai tashmë edhe humbjet i zgjedh pa dinjitet, duke u bërë qesharak në sytë e publikut.

Mos harroni: PD ka humbur Tiranën edhe kur Berisha ishte kryeministër, madje edhe kur votat i numëronte ai bashkë me Ilir Metën.