Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka sqaruar arsyet e përzgjedhjeve në listën me 25 lojtarë të grumbulluar për sfidat e tetorit, ku bie në sy mungesa e Ernest Muçit dhe Anis Mehmetit.
Në konferencën për shtyp, tekniku brazilian u shpreh se në krahun e majtë të sulmit ka “trafik” lojtarësh dhe nuk dëshironte të mbante më shumë se 25 futbollistë në listë.
“Mehmetin e kam takuar, por kemi disa lojtarë që luajnë në atë pozicion. Ka qenë në fillim i grumbulluar dhe është lojtar i mirë, por për momentin nuk është përfshirë. Muçi ka nisur një rrugëtim të ri tani, por nuk dua të shkoj në Serbi me 27-28 lojtarë. Gripshin e kemi ndjekur prej kohësh dhe më pëlqen shumë,” – tha Silvinjo.
I pyetur nëse ndeshja me Serbinë mund të përcaktojë të ardhmen e tij, trajneri i kuqezinjve u përgjigj prerë:
“Nuk është momenti i duhur për të menduar për të ardhmen. Ne duam të jemi të përqendruar te Serbia, është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe nuk duhet të harxhojmë energji me detaje të tjera.”
Shqipëria do të përballet më 11 tetor me Serbinë në sfidën kualifikuese të Kupës së Botës, ndërsa më 14 tetor do të luajë një miqësore ndaj Jordanisë në “Air Albania”./E.S