Derbi i parë i këtij sezoni me Partizanit dhe Tiranës është mbyllur 0-3 për bardheblutë, i vlefshëm për javën e gjashtë të Superiores. Rezultati u zhbllokua në minutën e 19-të, ku një top i gjatë i Soler për Falaye dhe sulmuesi nigerian mposht me kokë Alban Hoxhën, duke përfituar dhe nga një dalje e gabuar e portierit legjendar të të kuqve.
Në minutën e 28-të, Patsatsia pengohet brenda zonës nga Marku, arbitri kryesor i takimit, Eldorjan Hamiti, jep penallti për Tiranën. Sulmuesi gjeorgjian Patsatsia mposht Hoxhën dhe i jep avantazhin e dyfishtë Tiranës.
Nuk mungon nervozizmi në fushë sidomos nga lojtarët e të dy ekipeve, portieri i bardhebluve Tafas ndëshkohet me të verdhë. Në minutën e 40-të, trajneri i Partizanit bën një zëvendësim në sulm duke parë rezultatin, futet Skuka në vend të Qokthit.
Në fund të shtesës së pjesës së parë, të kuqtë patën një shans të mirë për të rrezikuar nga goditja e dënimit, por gjuajtja e Skukës përfundon larg portës. Pjesa e parë mbyllet 0-2 për bardheblutë, falë dy gafave të dhuruara nga vetë futbollistët e Partizanit.
Partizani e nis pjesën e dytë me dy zëvendësime të detyruara si shkak dëmtimi. Largohet portieri Alban Hoxha dhe në vend të tij Pano Qirko, si dhe Ndreka po i dëmtuar dhe në vend i tij u fut Bytyçi.
Në minutën e 60-të, Vogli kishte shansin e artë të shënonte golin e tretë, por nuk ia del as të gjuajë drejt portës dhe as të driblojë Qirkon. Në minutën e 74-të, pas një topi të gjatë nga Tafas dhe asistit perfekt të Ismajli, Serge Tabekou shënon me mjaft klas golin e tretë. Nuk mungojnë përplasjet mes lojtarëve të dy skuadrave, por situata qetësohet shpejt dhe loja fillon normalisht.
Rezultati nuk ndryshon deri në fund, Tirana fiton me plotë meritë derbin dhe kalon Partizanin në renditje. Bardheblutë renditen në vendin e tetë me 5 pikë, Partizani në vendin e nëntë me 4 pikë. Nesër dhe pasnesër luhen ndeshjet e tjera të javës së gjashtë. m.p.