Më 4 tetor 1921, një grup intelektualësh shqiptarë, të ndikuar nga idealet humanitare dhe nevoja për të krijuar një strukturë kombëtare që do t’i shërbente popullit në kohë paqeje dhe lufte, themeluan Shoqatën e Kryqit të Kuq Shqiptar. Kryetar i parë i saj u zgjodh Dr. Rifat Frashëri, një figurë me formim mjekësor dhe patriotik, i cili udhëhoqi hapat e parë të organizatës.
Shoqata u krijua në një periudhë të vështirë për Shqipërinë e pas Luftës së Parë Botërore, kur vendi sapo kishte fituar njohjen ndërkombëtare si shtet i pavarur, por ende vuante nga mungesa e institucioneve të qëndrueshme dhe kushtet e rënda sociale. Kryqi i Kuq Shqiptar u bë institucioni i parë humanitar kombëtar, i përkushtuar për të ndihmuar të plagosurit, të sëmurët, viktimat e fatkeqësive natyrore dhe shtresat në nevojë.
Vetëm dy vite më pas, në 1923, organizata mori njohjen zyrtare nga Lëvizja Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duke u bërë pjesë e një rrjeti global humanitar. Kjo e legjitimoi shoqatën dhe i hapi dyert e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke sjellë ndihmë dhe përvojë të çmuar në vend.
Prej asaj kohe, Kryqi i Kuq Shqiptar mbetet organizata më e vjetër humanitare në Shqipëri dhe ka luajtur një rol kyç në çdo periudhë historike të vendit – nga luftërat dhe periudhat e krizave, deri tek fatkeqësitë natyrore dhe misionet humanitare në kohë paqeje.
Përgatiti: L.Veizi