4 Tetori, Dita Botërore e Mbrojtjes së Kafshëve

Çdo vit, më 4 tetor, në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Mbrojtjes së Kafshëve. Kjo ditë ka për qëllim të ndërgjegjësojë opinionin publik për të drejtat dhe mirëqenien e kafshëve, duke theksuar rëndësinë e respektit, kujdesit dhe mbrojtjes së tyre nga abuzimi e shfrytëzimi.

Data nuk është zgjedhur rastësisht. Ajo përkon me ditën e Shën Françeskut të Asizit (1181–1226), shenjti mbrojtës i kafshëve dhe i mjedisit, i njohur për dashurinë e tij të jashtëzakonshme ndaj çdo krijese të gjallë dhe për mesazhin e tij të harmonisë mes njeriut dhe natyrës.

Dita Botërore e Mbrojtjes së Kafshëve u shpall për herë të parë në vitin 1931, gjatë një kongresi mjedisor në Firence, Itali. Fillimisht ajo u mendua për të tërhequr vëmendjen mbi speciet e rrezikuara të zhdukeshin, por më vonë u shndërrua në një ditë ndërkombëtare kushtuar të gjitha kafshëve, të egra dhe shtëpiake.

Sot, kjo ditë shënohet me aktivitete të shumta – fushata sensibilizuese, peticione, ligjërata në shkolla, aktivitete bamirësie dhe nisma për përmirësimin e kushteve të jetesës së kafshëve. Organizatat botërore si World Animal Protection dhe shoqata të tjera të ngjashme e përdorin këtë datë për të forcuar kauzën e tyre dhe për të kërkuar politika më të rrepta për mbrojtjen e kafshëve dhe biodiversitetit.

Dita e 4 tetorit mbetet një kujtesë universale se kafshët janë pjesë e pandashme e ekosistemit dhe se respekti ndaj tyre është edhe respekt për vetë jetën dhe natyrën.

Përgatiti: L.Veizi