Nga Xhorxh Monbiot
Ishte fat që shpëtova. Javën e kaluar, po zbresja me biçikletë në një rrugë me pjerrësi kur rashë në një gropë. Rrota e përparme u përthy në formën e simbolit të pafundësisë. U përmbysa mbi timon dhe, pa pasur kohë të mbrohesha me duar, u përplasa me fytyrë në asfalt. Helmeti dhe syzet morën pjesën më të madhe të goditjes. Çuditërisht, dola prej andej vetëm me disa gërvishtje dhe mavijosje.
Syzet u thyen, biçikleta kërkoi riparim të madh dhe rrobat u shqyen. Në total, kjo gropë më ka kushtuar rreth 450 paund. Sërish, isha me fat – mund ta përballoj financiarisht. Por mesazhi është ky: riparimi i një grope kushton midis 45 dhe 90 paund. Mosriparimi i saj kushton shumëfish. Zot e di sa njerëz të tjerë kanë dëmtuar biçikletat apo gomat e makinave në të njëjtën gropë. Të gjithë bashkë, mund të kemi paguar qindra herë më shumë sesa vetë riparimi. Nëse dikush është lënduar seriozisht, atëherë edhe Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS) ka paguar çmimin.
Një lexues më shkruajti: “Kam tre muaj që po rikuperohem nga një aksident me biçikletë për shkak të një grope. Më transportuan me helikopter në spital për shkak të dëmtimeve kërcënuese për jetën. Pavarësisht se kisha helmetë, pësojta hemorragji në tru, shumë fraktura, dhe ende nuk mund të ec pa paterica.” Kostoja për sistemin shëndetësor është e madhe; kostoja për të, e paçmueshme.
Masat shtrënguese – që i lënë gropat rrugore dhe boshllëqet e tjera të shërbimeve publike pa mbulim – nuk kursejnë para. Përkundrazi, na kushtojnë një pasuri. Ajo që të pasurit mund të kursejnë në taksa, e paguajmë ne të tjerët, përsëri dhe përsëri.
Ka pafund shembuj të ekonomive të rreme. Së fundi, qeveria po mendohet të heqë kufirin mizor të ndihmës për vetëm dy fëmijë – një masë e trashëguar nga konservatorët. Por çfarë shumëkush nuk e kupton është se pas kësaj fshihet një mur tjetër: kufiri i përgjithshëm për ndihmat për familjet. Edhe nëse prindërit marrin ndihmë për një fëmijë të tretë, mund të kalojnë kufirin total dhe të mos përfitojnë asgjë më shumë. Ky kufi absurd bën që qiratë, edhe në sektorin publik, të jenë të papërballueshme për shumicën e familjeve në nevojë – shumica prej tyre me një prind të vetëm.
Rezultati? Ata përfundojnë në strehime të përkohshme, që qeveritë lokale detyrohen t’i financojnë me një kosto prej mbi 2.3 miliardë paund në vit. Kjo situatë prek aftësinë e të rriturve për të punuar, ndikon në performancën e fëmijëve në shkollë, dhe shkakton vuajtje që më vonë shndërrohen në probleme shëndetësore – fizike dhe mendore – me pasoja të mëtejshme financiare.
Në vitin 2019, një komision parlamentar i kërkoi qeverisë të kryente një analizë të plotë të kostove dhe përfitimeve të këtij kufiri. Qeveria e hodhi poshtë këtë kërkesë, por tha se do ta shqyrtonte në të ardhmen. Kontrollova së fundi pranë Departamentit për Punë dhe Përfitime – ende nuk është bërë asgjë.
Të mbash njerëzit në varfëri është një luks i shtrenjtë. Varfëria në vendet e pasura nuk ekziston sepse mungojnë burimet, por sepse qeveritë zgjedhin politikisht ta mbajnë gjallë. Kjo zgjedhje buron nga dy shtysa: një besim i thellë, i vjetër dhe i palogjikshëm se varfëria është mëkat që duhet ndëshkuar – dhe nevoja e punëdhënësve që njerëzit të kenë frikë, për të pranuar punë të vështira e të keqpaguar.
Një tjetër shembull është kujdesi për të rriturit. Rreth 2 milionë të moshuar nuk marrin kujdesin që u nevojitet. Shumë të rritur më të rinj që do të mund të punonin nëse do të kishin kujdes të mjaftueshëm, janë të bllokuar në shtëpi. Rreth 2.6 milionë persona – kryesisht gra – kanë hequr dorë nga puna e paguar për të kujdesur për familjarët, pasi mungojnë alternativat. Ato humbin mesatarisht 5,800 paund në vit nga të ardhurat personale, me një kosto kolosale për ekonominë kombëtare.
Mungesa e kujdesit shtyn shumë njerëz drejt spitaleve: në çdo moment, 13% e shtretërve të NHS janë të zënë nga njerëz që presin shërbim social. Financimi i duhur i këtij sektori do të sillte një shtysë të madhe ekonomike, pasi kujdesi cilësor kërkon shumë punonjës. Sipas Koalicionit për të Ardhmen e Kujdesit Social, për çdo 1 paund të investuar në punën sociale, gjenerohen 1.75 paund në ekonomi. Megjithatë, siç thekson edhe një hetim parlamentar, provat për kostot e mospërmbushjes së shërbimeve sociale janë skandalozisht të pakta, madje mungojnë fare në vendimmarrjen politike. Qeveria numëron vetëm kostot e ofrimit – jo kostot e mosveprimit.
Mungesa e fondeve për kujdesin social ka sjellë krizë financiare në pothuajse çdo autoritet lokal në Britani. Shërbimet e tjera janë duke u prerë deri në palcë. Pra, kriza e gropave në rrugë është një pasojë direkte e krizës së kujdesit social. Në çdo analizë të përfitimeve të investimeve në këtë sektor, mund të përfshihen edhe shpenzimet e pacientëve që transportohen me helikopter në spital, për shkak të infrastrukturës që po shkatërrohet.
Sigurisht, duhet të jemi të kujdesshëm në përdorimin e analizave financiare për gjithçka – shumë prej shpenzimeve të domosdoshme mund të sjellin një kosto neto për shtetin, e cila është thjesht çmimi i jetesës në një shoqëri të mirë dhe njerëzore. Por kjo nuk duhet të na pengojë të theksojmë absurditetin e matjes vetëm të kostove të shpenzimeve publike, ndërsa injorohen përfitimet.
Qeveria këmbëngul se masat shtrënguese kanë përfunduar, pasi shpenzimet publike si përqindje e PBB-së janë rritur paksa – përkohësisht. Por kur ka kaq shumë shërbime thelbësore që vuajnë nga mungesa e fondeve, kjo përkufizim teknik është një gënjeshtër e sofistikuar. Një përkufizim më i ndershëm i masave shtrënguese do të ishte: ulje e shërbimeve publike për shkak të mungesës së financimit.
Fatura e një krize të shkaktuar nga më të pasurit – kriza financiare e vitit 2008 dhe shpëtimi masiv shtetëror që pasoi – u faturua tek më të varfrit. Por kjo nuk është as e nevojshme, as e pashmangshme. Nëse Partia Laburiste dëshiron, buxheti i muajit të ardhshëm mund të na çojë në një drejtim krejtësisht tjetër – një ku nuk kemi pse të paguajmë me syze të thyera, biçikleta të shtrembëruara, eshtra të thyera, dëbime nga shtëpitë, varfëri dhe neglizhencë – që më të pasurit të kenë avionë privatë, jahtet, spa-t luksoze dhe shtëpitë e tyre të dyta, të treta apo të katërta.
Ose ata mbajnë barrën, përmes taksave më të ndershme mbi të ardhurat, pasurinë dhe pronën – ose ne të gjithë të tjerët do të paguajmë një shumë shumë më të lartë.
Po, kjo do të kishte një kosto politike për qeverinë që do të përballej me aparatin e fuqishëm të ndikimit që më të pasurit kanë ndërtuar ndër vite. Por kostoja e mosveprimit – për të gjithë ne – është shumë më e lartë.
Xhorxh Monbiot është kolumnist i përhershëm në The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi