Protesta masive në Gjeorgji/ Opozita akuzon qeverinë për lidhje me Rusinë

Protesta të mëdha opozitare shënuan ditën e zgjedhjeve lokale në Gjeorgji, ndërsa policia përdori spraj piperi dhe topa uji për të shpërndarë demonstruesit pranë pallatit presidencial.
Pesë aktivistë, dy anëtarë të Partisë Kombëtare Unite, partia më e madhe opozitare, u arrestuan. Ata akuzohen për thirrje për rrëzimin e autoriteteve dhe rrezikojnë deri në nëntë vjet burg.

Partia qeverisëse Georgian Dream shpalli fitore në të gjitha komunat e vendit, në një proces zgjedhor të bojkotuar nga dy blloqet më të mëdha opozitare. Shumë demonstrues u përpoqën të hynin me forcë në pallatin presidencial, duke u përballur me masat e policisë, pas thirrjeve për një “revolucion paqësor” ndaj qeverisë, të akuzuar si pro-ruse dhe autoritare.

Ministria e Shëndetësisë raportoi se 21 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe gjashtë demonstrues u lënduan gjatë përplasjeve në qendër të Tbilisit. Grupi më i vogël i protestuesve bllokoi rrugë pranë pallatit, ndezi zjarre dhe u përball me policinë , duke krijuar tension të madh në qendër të kryeqytetit./kb