Rusia vijon të testojë kufijtë e NATO-s. Pesë persona humbën jetën këtë të diel në Ukrainë si pasojë e sulmeve me drone dhe Raketa të cilat shkuan deri në qytetin veriperëndimor të Lvivit i cili kufizohet me Poloninë. Sulmi la gjithashtu mijëra familje pa energji elektrike.
Varshava zyrtare ngrit avionët e saj luftarakë për të patrulluar hapësirën e saj ajrore. Këtij operacioni iu bashkuan edhe avionët luftarakë të NATO-s pasi u shpall gjendja më e lartë e alarmit për shkelje të hapësirës ajrore të Aleancës Veri Atlantike.
Në mesin e 5 viktimave që humbën jetën në Ukrainë si pasojë e sulmeve Ruse 4 persona ishin në Lviv dhe një tjetër në Zaporizhzhia.
Presidenti Ukrainas deklaroi se Rusia lëshoi mbi 50 raketa dhe mbi 500 dronë që si shënjestër kryesore kishin civilët dhe infrastrukturën energjetike të vendit.
Ministria ukrainase e Energjisë konfirmoi dëme të mëdha në disa impiante, veçanërisht në Zaporizhzhia, ku mbi 73 mijë qytetare mbetën pa energji pas goditjes së një centrali.
Sulmet ruse vijnë vetëm disa dite pasi burime te ndryshme nga Shtetet e Bashkuara deklaruan se Washingtoni Zyrtar do të mbështesë Ukrainën që të kryejë goditje të thella brenda Rusisë me raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi.
Përtej frikës se raketat ruse do të tejkalonin në hapësirën ajrore të Polonisë, një tjetër incident u regjistrua në vendet e NATO-s. Lituania , anëtare e Aleancës Veri Atlantike u detyrua të mbyll përkohësisht hapësirën ajrore dhe aeroportin e saj më të madh në Vilnius për disa orë, pas vërejtjes së disa objekteve fluturuese të dyshimta. Aeroporti u rihap në orën 04:50 me orën lokale, pas pezullimeve të fluturimeve që, sipas operatorit, u shkaktuan nga “një seri e mundshme balonash” që po afroheshin drejt aeroportit./kb