Gjatë Maksimumit të Fundit të Akullnajave, Shkretëtira Arabe humbi çdo gjurmë uji: disa mijëvjeçarë më vonë, ajo u ripopullua falë rritjes së lagështisë dhe formimit të liqeneve të përkohshme.
Ka pasur një kohë kur shkretëtirat nuk ishin siç i njohim sot – përkundrazi, ato ishin të gjelbëruara dhe të pasura me jetë. Madje edhe Shkretëtira Arabe, që sot mbulon pjesën më të madhe të Gadishullit Arabik dhe shtrihet në mbi 2,220,700 km², dhjetëra mijëra vjet më parë ishte e mbushur me liqene ku jetonin hipopotamë dhe peshq, dhe që krijonin kushte të favorshme për vendbanime njerëzore.
Por me ardhjen e të ashtuquajturit Maksimum i Fundit të Akullnajave, rreth 25,000–19,000 vjet më parë, trupat e ujit u thanë. Njerëzit dhe kafshët u detyruan të largoheshin nga këto zona, në kërkim të tokave më mikpritëse.
Arti… në lartësi të pazakontë
Sipas një studimi të publikuar në revistën Nature Communications, rreth 12,000 vjet më parë, shkretëtira filloi të bëhej sërish më pak e thatë dhe formimi i liqeneve të përkohshme (të njohura si “pellgje kalimtare”, ku uji qëndron për një kohë të kufizuar pas reshjeve) i hapi rrugë ripopullimit të zonës.
Për të arritur në këtë përfundim, studiuesit analizuan një seri gdhendjesh shkëmbore të gjetura në shkretëtirën e Nefudit, në Arabinë Veriore. Ato përshkruajnë kafshë si deve, kuaj, gazela, dhi të egra dhe aurokë (një lloj bagëtie e madhe, tashmë e zhdukur). Ajo që tërhoqi vëmendjen e studiuesve ishte se shumica e këtyre gdhendjeve ndodheshin në shkëmbinj ranorë në lartësi të konsiderueshme – disa prej tyre arrinin deri në 39 metra lartësi. Si ishte e mundur që artistët e lashtë t’i realizonin këto gdhendje në vende kaq të paarritshme?
Një shkretëtirë që nuk ishte gjithmonë e shkretë
Duke gërmuar në shtresat e rërës poshtë shkëmbinjve të gdhendur, studiuesit zbuluan dhjetëra kocka kafshësh dhe mijëra objekte, përfshirë guaska, vegla dhe rruaza prej guri. Datimi me radiokarbon tregoi se këto gjetje i përkasin periudhës midis 12,800 dhe 11,400 vjet më parë.
Këto të dhëna përgënjeshtrojnë hipotezat e mëparshme, sipas të cilave gdhendjet datonin nga viti 5600–5200 para Krishtit. Sipas Maria Guagnin, koordinatore e studimit, gjuetarët-mbledhës e kishin populluar shkretëtirën veriore arabe shumë më herët nga sa ishte supozuar. “Tani, më në fund, mund të dëshmojmë se tradita e artit shkëmbor ka nisur më shumë se 12,000 vjet më parë, në fund të Epokës së Fundit të Akullnajave”, – komenton ajo.
Analiza e sedimenteve nxori në dritë gjurmë argjile, të lidhura me lagështinë sezonale, çka tregon se gdhendjet ishin krijuar pranë trupave të ujit që më vonë u zhdukën.
Ky kërkim, përveçse thekson lidhjen e ngushtë mes ndryshimeve klimatike dhe shpërndarjes së popullsive njerëzore, nxjerr në pah edhe rëndësinë historike të Gadishullit Arabik – një nga rajonet më pak të studiuara në rrëfimin e evolucionit prehistorik të njeriut. Siç e përshkruan paleoantropologu Yamandú Hilbert, një ekspert që nuk ka marrë pjesë në studim, kjo zonë ka qenë shumë më tepër sesa një shkretëtirë.
Burimi: focus.it/ Nga Chiara Guzzonato/ Përgatiti për botim: L.Veizi