Taylor Swift: Një spekulim dembel për të fituar para në ekranin e madh

Recensë

Nga Adrian Horton

Ashtu siç lind dielli në lindje dhe perëndon në perëndim, fansat e Tejllor Suift gjithmonë do t’i përgjigjen thirrjes për përmbajtje të re. Që përpara turneut të saj madhështor “Eras Tour” – që dominoi botën, rriti ekonomitë dhe ndryshoi standardet e industrisë – Suift kishte krijuar një marrëdhënie unike, të fortë dhe personale me fansat e saj. Një marrëdhënie e përforcuar me “Easter eggs”, narracione parasociale shumëvjeçare dhe, sipas disa interpretuesve, edhe një lloj “metaversi” të saj personal. Kjo lidhje mund të jetë reale, e veçantë dhe shpesh ushqyese – një varkë e qëndrueshme në stuhitë e jetës. E kam provuar vetë.

Por, teksa Suift hyn në “epokën e saj perandorake”, mënyra ciklike se si ajo ushqen bazën e fansave po fillon të duket më shumë si shfrytëzim i pastër sesa përkushtim i ndërsjellë. Re-rilisimet e panumërta, vinilet speciale dhe edicionet e limituara në “Target” ngjasojnë me një lloj takse për fansat më besnikë, vendosur nga një miliardere.

Projekti më i fundit? Filmi “The Life of a Showgirl” – ose më saktë, një “ngjarje promovuese” për albumin e saj më të ri me të njëjtin titull, që publikohet këtë të premte. Zyrtarisht quhet “The Official Release Party of a Showgirl” dhe është një përzierje e shpjegimeve të këngëve, pamjeve “backstage” dhe një videoklipi muzikor (që jepet dy herë!), të paketuara pa shumë finesë në një film 90-minutësh. Është materiali që çdo artist tjetër do ta publikonte në YouTube – por Suift, pasi ka dominuar tashmë arkëtimet me dokumentarin e koncertit të saj “Eras Tour”, vendosi ta sjellë në kinema për datat 3–5 tetor. Me një pritshmëri prej 30 milionë dollarësh vetëm në SHBA gjatë hapjes, filmi me gjasë do të jetë më i shikuari i fundjavës – një turp, duke qenë se mezi kualifikohet si një shoqërues vizual i albumit, e jo më si ndonjë punë e denjë për vend në universin e gjerë “Suiftian”.

Si eksperiencë kinematografike, Release Party i përshtatet për mrekulli albumit që e promovon – i zbrazët, i lehtë dhe i realizuar dembelisht, me cilësi si e një drafti të parë nën presion kohe. Dëshmi më tej e asaj që kritiku Spencer Kornhaber e ka quajtur “epoka e lodhjes” së Tejllor Suift.

Në një hyrje të filmuar me kamera të thjeshtë, Suift – gjithmonë me atë përulësinë e stërholluar – e prezanton filmin si një “udhëtim në frymëzimet e këngëve”, që përfaqëson një kohë “elektrizuese dhe emocionuese”. Por përveç një mini-dokumentari “pas skene” për videon muzikore të Fate of Ophelia, e ndarë në pjesë pesëminutëshe, pjesa tjetër e filmit është thjesht video me tekstet e këngëve të shoqëruara nga fragmente të përsëritura të xhirimeve të videoklipeve.

Kjo do të ishte në rregull si sfond për një festë, por jo si përmbajtje kryesore për një album që më së miri konsumohet në distancë, me zhanrin e tij soft-rock të vakët dhe tekste që shpesh të bëjnë të skuqesh nga turpi. Ndoshta duhet të jesh i dehur për ta shijuar. Në seancën time në orën 15:00, pa alkool dhe e përshtatshme për fëmijë, përveç një brohoritjeje për këngën absurdisht pa vetëdije Cancelled!, mbretëronte qetësia.

Lexo edhe :  “Nobeli” 2025 në Letërsi: Nga Krasznahorkai te Murakami, favoritët për ta fituar

Suift jep një shpjegim të shkurtër për secilën këngë – gjë që është gjithmonë interesante, edhe për kritikët – por që në thelb janë përgjithësime të shoqëruara me entuziazëm të deklaruar dhe një lloj “sigurimi ligjor”. (Po, ka marrë leje nga trashëgimtarët e Xhorxh Majkëll për të përfshirë referencën ndaj këngës Father Figure.)

Ajo është gjithnjë e rezervuar kur bëhet fjalë për të identifikuar objektivin e këngëve të saj – edhe kur është qartazi i dukshëm – por këtë herë mungesa e sinqeritetit ndjehet më shumë se zakonisht. Nuk përmendet askund fejuari i saj, Trevis Këlsi, megjithëse këtë javë ka folur më shumë se zakonisht për lumturinë e tyre bashkë në intervistat promocionale.

Ndërkohë, ofendimi i diskutueshëm ndaj Charli XCX në këngën Actually Romantic përshkruhet si “një letër dashurie për dikë që të urren” – dhe rreshti thumbues “vëmendja është afeksion dhe ti më ke dhënë shumë prej saj” thjesht e përkeqëson situatën. Kënga Wood, me metafora të tejngarkuara për epshin dhe me “pemën e kuqe” të aktorit të fshehur [emri i redaktuar], shitet si një këngë për “besëtytnitë”, me një vështrim të dëlirë por plot nënkuptim drejt kamerës.

Suift, megjithatë, di ende si të krijojë afërsi emocionale nga maja e pop-it botëror. Është rrëfimtare tërheqëse dhe e zhdërvjelltë – megjithëse jo gjithmonë e besueshme për vetë muzikën e saj. (Ky nuk është albumi me hitet ritmike që premtoi në New Heights.)

Aty ku ajo shkëlqen më shumë është në punën në prapaskenë. Momente të shkurtra por tërheqëse si: takimet në Zoom, batutat me kërcimtarët, rifilmimet për një skenë – janë momente të rralla që ofrojnë një vështrim në komunitetin dhe makinerinë që qëndron pas industrisë Suift. Janë po aq fascinante sa janë të shkurtra – një ftesë për të parë më shumë, që nuk jepet kurrë plotësisht.

Ndoshta mbledhja e diçkaje më të plotë – në një mënyrë strategjike por zbuluese – ishte një detyrë shumë e madhe për orarin e saj të stërngarkuar dhe kthimet gjithnjë e më të pakta. Dhe ndoshta fansat e flaktë të albumit (e di që ka të tillë) do të gjejnë diçka të vlefshme në këtë përmbledhje minimale të “dhuratave” nga Target.

Përgatiti për botim: L.Veizi