Treni inteligjent i udhëtarëve, i cilësuar “truri i zgjuar” fillon udhëtimin

Një tren i ri inteligjent udhëtarësh është gati të transformojë linjën hekurudhore mes Pekinit dhe Xiong’an, në provincën Hebei, duke shkurtuar kohën e udhëtimit në vetëm 30 minuta për në Aeroportin Ndërkombëtar Daxing të kryeqytetit kinez.

Përveç përmirësimit të lëvizjes, treni pritet të sjellë një vrull të ri në integrimin e rajonit Pekin-Tianjin-Hebei dhe rritjen e Zonës së Re Xiong’an, shkruan “China Daily”.

I zhvilluar sipas standardeve të pavarura me të drejta të plota të pronësisë intelektuale, treni përfaqëson një përparim në pajisjet e transportit hekurudhor urban të vendit.

Projekti operohet nga “China Railway Rolling Stock Corp”, e cila theksoi nivelin e lartë të inovacionit vendas pas modelit të ri.
“88 për qind e standardeve teknike të trenit janë me burim vendas dhe të gjitha teknologjitë kryesore zhvillohen në mënyrë të pavarur”,- tha Zhu Jianhua, projektues i lartë në “CRRC Qingdao Sifang”.

Ekspertët e industrisë theksojnë përparësitë e trenit në standardizim, automatizim dhe qëndrueshmëri. Ndër karakteristikat e tij më të spikatura është një sistem i avancuar kontrolli i përshkruar si “truri më i zgjuar” në hekurudhën urbane, duke mundësuar funksionimin inteligjent dhe mirëmbajtjen parashikuese.

“Për të përballuar sfida si funksionimi pa pilot me shpejtësi të lartë dhe intervalet e zgjatura të stacioneve, treni përdor sisteme kontrolli me vetëmësim, duke ulur me mbi 95 për qind shkallën e dështimit”,- tha Zhu.

Karakteristikat e kursimit të energjisë përfshijnë përdorimin e materialeve të fibrave të karbonit në kabinën e makinistit dhe ndarjet e pajisjeve, duke ulur peshën me rreth 30 për qind krahasuar me modelet tradicionale./kb