Rubio: SHBA-të janë të vendosura të parandalojnë një përsëritje të 7 tetorit

Në një deklaratë për përvjetorin e dytë të sulmeve të Hamasit (7 tetor 2023) Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio tha se vendi i tyre do të bëj gjithçka që një sulm të tillë të mos ndodhë përsëri.

Shtetet e Bashkuara riafirmojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, për t’u mbrojtur dhe për të siguruar sigurinë e popullit të tij. Ndërsa Shtetet e Bashkuara shënojnë këtë përvjetor tragjik dhe nderojnë viktimat, ne ripërtërijmë vendosmërinë tonë për të parandaluar që një e keqe e tillë të ndodhë përsëri”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.

“Nën udhëheqjen e Presidentit Trump”, vazhdoi Rubio, “Amerika po udhëheq përpjekjet për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve, për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit në Gaza dhe për të promovuar një paqe të qëndrueshme që siguron jo vetëm sigurinë e Izraelit, por edhe paqen dhe prosperitetin brez pas brezi për rajonin. Ky vizion i stabilitetit, sigurisë dhe një të ardhmeje të lirë nga terrori është në zemër të Planit 20-Pikësh të Presidentit.”

“Që nga 7 tetori 2023,” përfundoi Sekretari i Shtetit, “kemi qenë gjithashtu dëshmitarë të një rritjeje shqetësuese të antisemitizmit që kërcënon komunitetet hebraike në të gjithë botën. Siç e kam thënë, nuk ka kompromis me antisemitizmin. Ne vazhdojmë të dënojmë të gjitha aktet e terrorizmit dhe antisemitizmit kundër Izraelit dhe i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të qëndrojë pranë Izraelit në këtë përvjetor të dhimbshëm.”/e.t