Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, i shkroi Presidentit rus Vladimir Putin se beson që aleanca e tyre do të përparojë vazhdimisht në të ardhmen, pasi Pheniani dhe Moska thelluan bashkëpunimin ushtarak në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Në një letër të dërguar me rastin e ditëlindjes së 73-të të udhëheqësit të Kremlinit, Kim vuri në dukje se nuk ka dyshim se marrëdhëniet e aleancës midis dy vendeve, të cilat kanë parë kulmin e tyre, do të vazhdojnë në të ardhmen.
“Marrëdhëniet midis udhëheqësve do të japin një kontribut të madh në promovimin e fuqishëm të zhvillimit gjithëpërfshirës të lidhjeve dypalëshe dhe në krijimin e një rendi botëror të drejtë dhe shumëpolar”, shtoi Kim në letrën e tij.
Që nga tetori i vitit 2024, Koreja e Veriut ka dërguar afërsisht 15.000 trupa dhe armë për të mbështetur përpjekjet luftarake të Rusisë, sipas vlerësimeve të agjencisë së inteligjencës së Koresë së Jugut (NIS), e cila vlerësoi se rreth 2,000 ushtarë u vranë ose u plagosën gjatë luftimeve.
Kim dhe Putin u takuan personalisht në Pekin në fillim të shtatorit për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore./kb