1912 – Nis Lufta e Parë Ballkanike, Mali i Zi i shpall luftë Perandorisë Osmane

Më 8 tetor 1912, Principata e Malit të Zi, e udhëhequr nga Knjaz Nikolla Petroviç-Njegosh, i shpalli luftë Perandorisë Osmane, duke shënuar kështu fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Ky ishte një konflikt i përmasave të mëdha në Gadishullin Ballkanik, ku u përfshinë katër shtete: Mali i Zi, Serbia, Greqia dhe Bullgaria, të bashkuara në një aleancë të njohur si Lidhja Ballkanike. Qëllimi i tyre i shpallur ishte dëbimi i osmanëve nga Ballkani, por synimet e vërteta lidhen me ndarjen e territoreve të mbetura nën sundimin turk, sidomos atyre shqiptare.

Luftimet ishin të ashpra dhe u zhvilluan në disa fronte – nga Trakia në juglindje, deri në Sanxhak e Kosovë në veri. Brenda pak muajsh, ushtritë ballkanike arritën fitore të njëpasnjëshme dhe Perandoria Osmane humbi pothuajse të gjitha zotërimet e saj evropiane, duke u tërhequr deri në portat e Stambollit.

Humbjet njerëzore ishin të rënda për të dyja palët: rreth 350 mijë ushtarë osmanë dhe mbi 110 mijë luftëtarë të aleancës ballkanike humbën jetën ose u plagosën. Por pasojat më të rënda i pësuan shqiptarët. Pikërisht në kohën kur Shqipëria përgatitej të shpallte pavarësinë, territoret shqiptare u pushtuan nga fqinjët, të cilët i konsideronin si plaçkë lufte. Kështu, ushtritë serbe hynë në Kosovë dhe Maqedoni, grekët në Jug të Shqipërisë, ndërsa malazezët në Shkodër e rrethinat e saj.

Megjithëse Lufta e Parë Ballkanike përfundoi me Marrëveshjen e Londrës (1913), e cila sanksionoi humbjen e Perandorisë Osmane, ajo hapi plagë të thella në Ballkan dhe hodhi bazat e konflikteve të ardhshme, përfshirë edhe Luftën e Dytë Ballkanike dhe më vonë Luftën e Parë Botërore.

Përgatiti: L.Veizi