Ekspozita “Shqipëria 1994, një popull në lëvizje” solli në Durrës për herë të parë fotografitë historike të fotografit Gianni Bellesia, të realizuara menjëherë pas rënies së diktaturës.
30 vjet më parë, fotografi italian Gianni Bellesia mbërriti për herë të parë në Shqipëri si pjesë e një misioni humanitar, duke shoqëruar dy kamionë me ndihma për familjet e varfra. Tri dekada më pas, ai është kthyer si dëshmitar i transformimit.
Ekspozita sjell 30 imazhe autentike, që rrëfejnë historinë e njerëzve të thjeshtë dhe një kohe të vështirë, por plot shpresë, nga Durrësi në Tiranë, Shkodër e deri në fshatin e Nënshatit, shkruan atsh.
Në vitin 1994, Gianni Bellesia ishte vetëm një djalosh, i nisur me të atin Sebastiano, për të sjellë ndihma në një Shqipëri ende e tronditur nga rënia e regjimit dhe në kërkim të së ardhmes. Sot, ai është kthyer me një ekspozitë që rrëfen po ato ditë përmes forcës së heshtur të fotografisë.
Më shumë se 200 persona, përfshirë autoritete lokale, gazetarë, artistë, studentë dhe qytetarë të thjeshtë, morën pjesë në një ngjarje që ishte më shumë se thjesht art.
Puna e Bellesia-s u vlerësua me disa nderime të rëndësishme, që dëshmojnë ndikimin e thellë njerëzor dhe kulturor të projektit të tij: “Mirënjohje e Qytetit”, dhënë nga kryetari i Shoqatës Autoktone, Abdulla Deliallisi, dhe sekretarja Edlira Harizi; Çmimi i Meritës, Në Kujtesën e Qytetit, dhënë nga Foto Klubi “Bashkimi i Fotografëve të Durrësit”, përfaqësuar nga kryetari Palush Jorgji; Çmimi “Bukuria e Durrësit”, dhënë nga nënkryetari i Bashkisë, Gentian Kallmi, një çmim që jepet rrallë dhe vetëm atyre që promovojnë miqësinë mes popujve.
Prestigjin e ngjarjes e shtoi prania e Zoica Kokosharit, presidente e UNICEF-it në Luksemburg, me origjinë nga Durrësi. Me elegancë dhe ndjeshmëri, ajo priti Gianni Bellesia-n dhe ambasadorin Kozeli, duke e cilësuar projektin si simbol të fuqishëm të një solidariteti që nuk plaket kurrë./e.t