Prokurorja e Përgjithshme amerikane Pam Bondi, dëshmoi para Komitetit Gjyqësor të Senatit, në një seancë dëgjimore shumë të tensionuar.
Megjithatë dëshmia e saj nuk ishte larg pritshmërive. Në vend që të mbrohej para akuzave, ajo kaloi në sulm dhe disa pyetjeve preferoi të mos u përgjigjej.
Demokratët e akuzuan Bondin se e ka përdorur Departamentin e Drejtësisë si një armë për të goditur kundërshtarët politikë të presidentit Donald Trump.
Një tjetër temë e nxehtë që mbizotëroi në seancën dëgjimore, ishte marrëdhënia e Donald Trump me Xhefri Epstin, ish-financieri që vrau veten në burg në vitin 2019 në pritje të gjyqit për abuzim dhe trafikim seksual.
Senatorët demokratë e pyetën Bondin se kush dha urdhra brenda departamentit për të shënuar çdo të dhënë që lidhet me Trump dhe Epstein, në mënyrë që ato të mos publikoheshin.
Kryeprokurorja mbrojti presidentin amerikan, duke I quajtur të turpshme akuzat e senatorëve.
“Nuk do të diskutoj asgjë për këtë me ju. Ju rrini këtu dhe bëni vërejtje të turpshme, edhe një herë, duke u përpjekur të shpifni për Presidentin Trump majtas e djathtas. Vërtet po më sulmoni për disa fotografi të presidentit me Epstein?!”
Prokurorja e përgjithshme u pyet pse departamenti i saj tani thotë se nuk ka listë të klientëve të Epstein, pasi ajo më parë pretendoi se e kishte atë informacion në tavolinën e saj.
Bondi u përgjigj duke cituar hetimet e mëparshme të departamentit se nuk kishte prova për një listë ose tentativë për të mbuluar rastin./E.T