Shqipëria në 4 rajone; pse po përplasen opozita dhe qeveria

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kalimi në Kuvend pa zhurmë i ligjit të ri “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin” që parashikon ndarjen e Shqipërisë në 4 rajone zhvillimi ekonomik, është kundërshtuar nga opozita jashtëparlamentare si cenim i ndarjes territoriale. Eksperti: Kjo nuk i prek bashkitë dhe qarqet.

Nga Blerina Gjoka 

Harta territoriale e Shqipërisë ka përcaktuar ndarjen në 12 qarqe dhe 61 bashki, por një ligj i ri që kaloi Kuvendi, në fund të korrikut, mund të ndryshojë perceptimin e deritanishëm për këtë ndarje. Ligji i ri “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, e ndan vendin në 4 rajone të zhvillimit ekonomik. Edhe pse këto rajone nuk janë përcaktuar si “ndarje territoriale” në brendësinë e këtij ligji, opozita pretendon se kjo ndarje e re bën pikërisht këtë, mbivendos ndarjen aktuale territoriale.

Nga ana tjetër, ekspertët e qeverisë argumentojnë se funksionimi i katër rajoneve, sipas ligjit, nuk do të cenojë punën që kanë bashkitë e qarqet dhe funksionet e tyre. Në projektligj thuhet se rajonet e zhvillimit nuk janë njësi administrative, sipas kuptimit që ka legjislacioni në fuqi për vetëqeverisjen vendore, ndërsa qëllimi i kësaj ndarjeje është zhvillimi i qëndrueshëm social dhe ekonomik, si dhe reduktimi i pabarazive ndërmjet rajoneve.

Ligji po pret miratimin e presidentit Ilir Meta deri në datën 24 gusht, sipas afateve ligjore, dhe ai ka rezervuar të drejtën për t’u shprehur në momentin që do të marrë vendim për dekretimin e tij apo kthimin pas në Kuvend, me argumente plotësuese, një praktikë kjo e zakonshme e Presidencës së drejtuar nga Ilir Meta këto 3 vitet e fundit.

Si do të funksionojnë 4 rajonet

Ligji i miratuar në Kuvend nuk i ka emërtuar 4 rajonet ekonomike të vendit, emërtimi dhe territori që do të zënë do të bëhet me vendim qeverie. Bekim Murati, drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, thotë se ligji është kushtetues dhe vjen në zbatim të reformës territoriale. Kjo reformë u miratua pa konsensusin e kësaj opozite në fillim të mandatit të parë qeverisës të socialistëve, në vitin 2014.

Sipas Muratit, kjo ndarje në rajone zhvillimi e thellon më tej reformën dhe nuk prek ndarjen territoriale. “Bashkitë janë po ato, qarqet po ato, dhe kjo ndarje nuk i prek as funksionet dhe as nuk ndërhyn në punët që kanë ato”, – u shpreh Murati në një intervistë për A2Cnn.

Ndërkohë ekspertët e qeverisë, që kanë hartuar projektligjin, kanë arsyetuar në relacionin shoqërues të tij se “Projektligji synon të përcaktojë instrumente për zhvillimin rajonal dhe kohezionin në Republikën e Shqipërisë, duke siguruar nxitjen e zhvillimit të balancuar ekonomik, shoqëror e kulturor rajonal, të sigurojë që autoritetet politikëbërëse të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre planifikuese, për të nxitur planifikimin e harmonizuar e të integruar të rajoneve, të sigurojë harmonizimin e strategjive sektoriale në një politikë të përbashkët zhvillimore rajonale, duke e mbështetur atë edhe me buxhetin përkatës”.

Kundërshtimi i opozitës 

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pretendojnë se ky ligj do të dobësojë pushtetin lokal dhe do të rrisë fuqinë e qeverisë qendrore, pasi merr në dorën e saj të gjitha fondet e Bashkimit Evropian. Sipas opozitës së bashkuar, qeveria po tenton ta menaxhojë vetë pushtetin lokal, me anë të kësaj ndarjeje, pasi këto 4 rajone do të qeverisen nga një dorë e vetme, nga qeveria. “Kjo do të thotë pushtim nga qeveria i pushtetit lokal. Sepse këto rajone u mbivendosen dhe u rrëmbejnë kompetencat qarqeve të cilat janë të përcaktuara qartësisht në Kushtetutën e Shqipërisë, e ku ndodhen atje edhe sot e kësaj dite.” – ka theksuar nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili. Ish-deputetja demokrate, Dhurata Çupi, deklaron se “miratimi i ligjit që ndan Shqipërinë në 4 rajone është kundër interesit të qytetarëve. Pas reformës së dështuar për ndarjen e Shqipërisë në 61 bashki, ky ligj largon akoma më shumë shërbimet nga njerëzit. Qytetarët e 57 bashkive të vendit duhet të shkojnë deri në 1 nga 4 bashkitë qendër rajoni, për të marrë një shërbim të caktuar”. Ajo tha se “në këtë mënyrë qeveria centralizon pushtetin me të emëruarit e saj, duke dëmtuar rëndë interesin publik. Heqja e shërbimeve ndaj qytetarëve në vendin ku ata banojnë nuk i intereson Edi Ramës”. Sipas saj, “interesi i tij për miratimin e ligjit absurd që ndan Shqipërinë në 4 rajone është vetëm politik, elektoral dhe financiar”.

Lexo edhe :  A mendoni se Shqipëria do jetë në BE në 2030? Kallas: Vendi po bën progres të shkëlqyer

3 prioritet e ligjit:

1- Prioriteti i parë, ndalimi i shpopullimit të zonave rurale dhe emigracionit është prioritet politik i legjitimuar, për shkak të projeksioneve demografike aktuale të pafavorshme dhe si shkak i nevojës për të ruajtur identitetin rajonal të Shqipërisë edhe në zonat më të thella të vendit, si dhe shmangia apo zvogëlimi i pabarazive territoriale.

2-Prioriteti i dytë, i lidhur ngushtësisht me të parin, është nevoja për të luftuar papunësinë, në veçanti tek të rinjtë. E ardhmja e të rinjve duhet të jetë në Shqipëri, në rajonet e tyre të lindjes. Por që të nxitet kjo, zhvillimi socio-ekonomik duhet të mundësojë një cilësi më të lartë arsimimi, si edhe një ristrukturim rajonal të punësimit nga sektori parësor te sektorët e tjerë të ekonomisë.

3-Prioriteti i tretë dhe më i rëndësishëm është se zhvillimi i qëndrueshëm i Shqipërisë ka nevojë për të mbështetet një model fleksibël të zhvillimit socio-ekonomik që mbart paradigmën aktuale të konkurrencës, p.sh. strategjinë e specializimit smart (të zgjuar), sipas së cilës secili rajon është i rëndësishëm dhe qasja e zhvillimit rajonal dhe kohezionit nxit rritjen ekonomike nëpërmjet zvogëlimit të pabarazive.

PD: Reforma territoriale ka dështuar, 92 milionë euro për punësim militantësh

Partia Demokratike deklaroi dje se një nga dështimet më të mëdha të qeverisë së Edi Ramës është reforma territoriale, e cila është keqpërdorur për punësimin e militantëve të pushtetit. Mateo Spaho, duke folur në foltoren e selisë blu tha dje se, përveç largimit të shërbimeve nga qytetari, rritjes së taksave dhe ryshfetit për të mbaruar një punë, reforma territoriale është një katastrofë e vërtetë financiare.

“Vetëm në dy vjet, 2017-2019, janë paguar nga taksat e qytetarëve rreth 92 milionë euro për më shumë se 8100 punonjës shtesë me kontratë të përhershme, veçanërisht në pushtetin lokal. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, çdo i punësuar i ri kushton rreth 580 mijë lekë në muaj.

Një nga arsyet madhore të reformës territoriale ishte reduktimi drastik i shpenzimeve, por punësimi i militantëve në administratën lokale ka sjellë rritjen me 92 milionë euro në 2 vjet të kostos së rrogave të tyre”, deklaroi Spaho. Sipas tij, këto para dalin nga taksat dhe tarifat që bashkitë u imponojnë dyqaneve të vogla, familjeve, lokaleve, punishteve dhe qytetarëve, dalin nga gjobat e padrejta dhe faturat e larta.

Ai deklaroi më tej se në raport me 2 vite më parë ka 3% më pak teknikë dhe specialistë. “Është rritur gati me 15% numri i nëpunësve të lartë dhe drejtuesve. Këta janë njerëzit që ngrohin karriget e zyrave, nuk bëjnë asnjë punë dhe sjellin njerëzit vërdallë. Ne harxhojmë 46 milionë euro në vit për pagat e tyre, që këta parazitë të pushtetit të bëjnë like dhe share në facebook-un e Edi Ramës dhe të keqpërdoren në fushatë elektorale.

Në vend që në bashkitë e Shqipërisë të kishim më shumë teknikë që zgjidhin probleme konkrete, kemi militantë partie. Kemi më shumë drejtorë dhe më pak specialistë!”, tha ai. Spaho u shpreh më tej se strategjia e qeverisë për të blerë vota me vende pune që paguhen nga taksat e qytetarëve më të varfër dhe më të vjedhur të Evropës, ka çuar në një rezultat dështimi spektakolar. “70% e financave vendore shkojnë për paga dhe administratën dhe vetëm 30% në investime në qytete dhe fshatra. Kjo do të thotë më pak shërbime për qytetarët, më pak zhvillim”, deklaroi Spaho.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Turizmi, net-qëndrimet e të huajve në hotele u rritën me 32%, kryesuan italianët

Pavarësisht lëkundjes së lehtë që shënoi lëvizja e shtetasve në muajin e tretë të vitit, të dhënat e hoteleve...

Gjikondi: Berisha po shkon si “çeço” në SPAK, jo më si kaposh në ballkon

Pas zvarritjeve disamujore, dosja “Partizani” këtë të hënë kaloi për gjykim dhe ish-kryeministri Sali Berisha do të hetohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv”. Juristja...

KQZ urdhëron numërimin të dy kutive me vota të panumëruara në Durrës dhe Elbasan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftuar se ka marrë vendim në lidhje me procesin zgjedhor, duke urdhëruar numërimin fillestar të dy kutive të votimit që...

“Rruga për në burg ka nisur”/ Avokati paralajmëron fatin e Berishës

Për herë të parë në gjykatën e posaçme do të zhvillohet një proces gjyqësor ndaj një ish-kryeministri për akuzën e korrupsionit. Gjykata e Posaçme vendosi...

Fitoi mandatin e deputetit/ Erald Kapri: Vota e Diasporës cenoi fshehtësinë e votës

Erald Kapri do të jetë për herë të parë në Parlament dhe mandatin e mori duke garuar me Partinë Mundësia, që arriti të marrë...

Lajme të tjera

Web TV