Tronditet shtanga, nga 196 garues në Tokio, në vetëm 120, katër vjet më pas në Francë. Ishte pritur që peshëngritja të kishte një zvogëlim të pranisë së saj në Lojërat Olimpike të 2024-ës në Paris, por shkalla e këtij zvogëlimi, që u bë e ditur së fundmi, ishte tronditëse.
Është peshëngritja ajo që ka vuajtur si asnjë sport tjetër. Në “Rio 2016”, ishin 260 sportistë që konkurruan, në “Tokio 2020” ky numër do të jetë 196, kurse në Paris, ku prania e peshëngritjes ende nuk është konfirmuar përfundimisht, për shkak të shqetësimeve që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka ngritur mbi mënyrën sesi po qeveriset ky sport, numri i shtangistëve konkurrues do të jetë vetëm 120.
Kjo përfaqëson një shkurtim me plot 54% për peshëngritjen brenda vetëm dy Olimpiadash. Humbja e plot 140 sportistëve në konkurrim në vetëm 8 vjet, në fakt përkon me numrin e përgjithshëm të rasteve që kanë rezultuar pozitiv për përdorim dopingu në të njëjtën periudhë kohe, që është po 140 vjet që nga 2016-ta. Pesë herë brenda këtyre javëve të fundit, IOC ka lëshuar deklarata tejet kritike në drejtim të Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF), përfshi edhe atë të ditëve të fundit, që sqaronte se prania e këtij sporti në Lojërat Olimpike, ishte objekt i një shqyrtimi të vazhdueshëm.
Ndërkohë, edhe rënia e numrit të medaljeve për shtangën në “Paris 2024” është edhe më e frikshme. Skerma dhe xhudoja kanë më tepër kategori medaljesh në Paris sesa ç’kishin në Rio, ndërsa mundja dhe boksi kanë të njëjtin numër. Por kategoritë e medaljeve tek peshëngritja do të zbresin nga 15 në “Tokio 2020”, në vetëm 10 në “Paris 2024”, çka përfaqëson një rënie me 1/3-tën e këtij numri. Kjo ka bërë që në gjirin e peshëngritjes ndërkombëtare të lindë një reagim i fuqishëm kundrejt drejtuesve aktualë të IWF-së, që shihen thjesht si vazhdim i drejtimit nepotik dhe të korruptuar të instaluar nga ish-presidenti i dorëhequr, Tamas Ajan.
Pa.Va/Fjala.al