Fjalimi i Victor Hugo më 15 shtator 1848: “Unë votoj shfuqizmin e plotë, të thjeshtë dhe përfundimtar të dënimit me vdekje!”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Prill 2021

“Le Moniteur Universel” ka botuar, të shtunën 16 shtatorit 1848, në faqen n°10, fjalimin e Victor Hugo para Asamblesë Kombëtare franceze në lidhje me shfuqizimin e dënimit me vdekje, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Asambleja Kombëtare

Seanca e së premtes, 15 shtator 1848.

Zotërinj, si raportuesi i nderuar i komisionit tuaj, nuk prisja të flisja për këtë çështje të rëndë dhe të rëndësishme. Më vjen keq që kjo çështje, mbase e para nga të gjitha, mbërrin në mes të diskutimeve tuaja pothuajse papritmas dhe surprizon oratorët e papërgatitur. Sa për mua, do të them pak fjalë, por ato e kanë zanafillën nga ndjenja e një bindjeje të thellë dhe të vjetër.

Sapo keni shenjtëruar paprekshmërinë e shtëpisë (vatrës), ne kërkojmë nga ju që të shenjtëroni një paprekshmëri më të lartë dhe më të shenjtë, paprekshmërinë e jetës njerëzore.

Zotërinj, një kushtetutë dhe mbi të gjitha një kushtetutë e bërë nga Franca dhe për Francën, është domosdoshmërisht një hap për civilizimin. Nëse nuk është një hap për civilizimin, nuk është asgjë. (Shumë mirë ! shumë mirë!)

Epo, mendoni pak, çfarë është dënimi me vdekje? Dënimi me vdekje është shenja e veçantë dhe e përjetshme e barbarisë. (Lëvizje.) Kudo që dënohet me vdekje, dominon barbaria; kudo që dënimi me vdekje është i rrallë, mbretëron civilizimi. (Sensacion.)

Zotërinj, këto janë fakte të padiskutueshme.

Zbutja e dënimit është një hap i madh dhe serioz progresi. Shekulli i tetëmbëdhjetë ndaloi torturat dhe kjo është lavdia e tij; shekulli i nëntëmbëdhjetë do të shfuqizojë dënimin me vdekje. (Brohoritje! Po! Po!) 

Ju ndoshta nuk ta shfuqizoni sot; por, të mos keni dyshim, nesër do ta shfuqizoni ose pasardhësit tuaj do ta shfuqizojnë atë. (Ne do ta shfuqizojmë atë! Agjitacion.)

Ju shkruani në krye të preambulës së kushtetutës suaj “Në prani të Zotit” dhe do të fillonit duke i vjedhur atij, po këtij Zoti, këtë të drejtë që i takon vetëm atij, të drejtën e jetës dhe vdekjes. (Shumë mirë! shumë mirë!)

Zotërinj, ekzistojnë tri gjëra që i përkasin Zotit dhe që nuk i përkasin njeriut: e parevokueshmja, e pariparueshmja, e pazgjidhshmja. Mjerë njeriu nëse i fut ato në ligjet e tij! (Lëvizje.) Herët ose vonë, ato bëjnë që shoqëria të përkulet nën peshën e tyre, ato prishin ekuilibrin e nevojshëm të ligjeve dhe zakoneve, ato privojnë drejtësinë njerëzore nga përmasat e saj; dhe pastaj ndodh kjo, mendoni për të, zotërinj, që ligji tmerron ndërgjegjen. (Sensacion.)

Unë kam ardhur në këtë tribunë për t’ju thënë vetëm një fjalë, një fjalë vendimtare, sipas meje; kjo fjalë, ja cila është. (Dëgjoni! Dëgjoni!) 

Pas shkurtit, populli pati një mendim të madh, të nesërmen pasi kishte djegur fronin, ai donte të digjte tribunën (vendin ku ekzekutoheshin të dënuarit). (Shumë mirë! – Zëra të tjerë: Shumë keq!)

Ata që vepronin në mendjen e tij atëherë nuk ishin, dhe për këtë pendohem thellë, në lartësinë e zemrës së tij të madhe. (Në të majtë: Shumë mirë!) E ndaluan të realizonte këtë ide sublime.

Epo, në nenin e parë të kushtetutës që votoni, sapo keni shenjtëruar (kushtuar) mendimin e parë të popullit, ju keni rrëzuar fronin. Tani shenjtëroni (kushtoni) tjetrin, përmbysni tribunën. (Duartrokitje në të majtë. Protesta në të djathtë.)

Unë votoj shfuqizmin e plotë, të thjeshtë dhe përfundimtar të dënimit me vdekje.

Të fundit

Vitaminat që funksionojnë njësoj si antibiotikët

Kur përballemi me sëmundje të ndryshme të shkaktuara nga bakteret, antibiotikët janë të parët që na rekomandohen nga mjeku. Përdorimi...

Cila është kisha më e madhe në botë?

Duke marrë parasysh vetëm pjesën e brendshme, me 20,139 metra katrorë sipërfaqe të mbuluar, rekordi shkon në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Konkurrenca. Por vendi i parë i...

“Paketa e Maleve” / Çfarë parashikon qeveria përmes projektligjit të ri

''Paketa e Maleve” është projektligji më i fundit i miratuar në mbledhjen e qeverisë që synon të mundësojë investime për zhvillimin e turizmit, rimëkëmbjen...

Pse fëmijët duhet të jenë të lirë të ndërmarrin rreziqe

Provoni të shoqëroni një fëmijë ose nip në një shesh lojrash me një piramidë me litar disa metra të lartë, disa vende fshehjeje dhe...

Këshilli i Europës në Prishtinë

Nga Monada Mehmetaj, Strasburg

Lajme të tjera

Web TV