Pa Albin Kurtin dhe pa Lëvizjen Vetëvendosje në krye nuk do ta dinim sa e rëndësishme ka qenë gjithë ajo që është bërë në Kosovë. Nuk do ta dinim as sa punë e madhe është bërë dhe sa e jetueshme ka qenë Kosova. Dhe s’do ta njihnim ferrin politik që i imponohet jetës kur shkelet nga një dogmat politik.
Kur qe vrarë një polic i njësive speciale të Policisë së Kosovës, në mbrojtje të rendit kushtetues në veriun e Kosovës, potezi politik i atëbotë kryeministrit Hashim Thaçi qe quajtur tradhti nga kritikët e atëhershëm, qeveritarë të sotëm, sepse kryeministri i paskësh dërguar në mision vetëvrasës policin hero Enver Zymberi dhe policët tjerë të Kosovës.
Sot, gjithçka kalohet në heshtje. Edhe kur poshtërohet shteti i Kosovës.
Bora Qorba, një këngëtar serb i viteve të 70-ta ishte në Leposaviq (“rastësisht” në të njëjtën kohë erdhën edhe 6 milionë euro nga Serbia, si investim për universitet paralel me atë të Prishtinës në Mitrovicë). Ai nuk është më as i njohur, as i aftë të këndojë. Madje, aty nuk ishte për të kënduar. Prandaj, koncerti i tij ishte i parëndësishëm. Po aq e parëndësishme ishte edhe hallakatja me tekste nacionaliste, në tentim për t’i shëruar serbët e Kosovës.
E rëndësishme është vetëm e vërteta që prodhoi, si poshtërim i shtetit të Kosovës. Ky shtet as nuk mundet dhe as nuk do të ketë qasje në veri të vendit. Nuk ka guxim t’i mbledhë as faturat e energjisë elektrike, anipse gjithçka e ka të garantuar edhe me marrëveshje ndërkombëtare.
Pajtohem plotësisht me Albin Kurtin: duhet bërë diçka. Por, Albini është peng i dogmatizmit të tij. Dhe jo vetëm ai. Edhe partia që udhëheq. Një lider dhe një parti që patosin e saj e ka dogmant dhe është krijuar mbi dogmatizëm nuk mund të bëhet pragmatiste. Nuk mund ta synojë lirinë. As të jetë fituese e politikës. Sepse çdo krijesë politike që lind nga dogmatizmi, nga ai do të vdesë.
Kështu ndodhi edhe me negociatat dhe ekipin negociator. Aty janë bashkuar dogmatë dhe nostalgjikë të Jugosllavisë, me shpresën që mund ta shpëtojnë njëri-tjetrin. Të dytët duke menduar se do ta gjejnë rrugën, për shkak të prekjes me të kaluarën. Ndërsa, të parët duke besuar se do ta vulosin fitoren.
Në Kosovë, ka 30 vjet që përzierja e paqendrueshme jugosllav – anti-jugosllav, rikombinohet. Por, në përvojën politike s’ka shndërrime më shpërfytyruese se ai i dogmatit në politikan dhe komunistit në anti-komunist. Përveç shndërrimit të jugonostalgjikut në anti-jugosllav.
Pas kaq vjetësh luftë për ta bërë Kosovën shtet në krejt kuptimet dhe tërë territorin, vendi po poshtërohet dhe liria po e prek ngadalë fundin e padëshirueshëm të saj. Vendi ynë i lirë po poshtërohet nga ata që pak kanë kuptuar për sakrificat që janë bërë. Ata njerëz i kanë harruar ose qëllimshëm po i anashkalojnë të gjitha, si një fiksion momental i kohës.
Edhe pasi ngjarjet e Afganistanit e kanë nxjerrë në pah shijen e hidhur të jetës kur liritë humben si me magji brenda një nate – sikur në Iran dikur, ne qëndrojmë të poshtëruar brenda dogmës politike të imponuar nga një njeri. Asgjë nuk lëviz.
Prandaj, gjithçka që po ndodhë tani në Afganistan është rikujtim i një të vërtete të thjeshtë: status quo-ja nuk është zgjidhje. Është shtyrje e tragjedisë për një tjetër kohë. Për një tjetër moment. Kështu ka qenë gjithmonë. Dhe kështu gjithmonë do të jetë. Një gjendje e tillë nuk është zhvillim i situatës, mbase as kthim prapa – është ngecje. Dhe ndërtim i një iluzioni se më keq nuk mund të bëhet. Mirëpo, historia ka treguar se sa herë që njerëzimi ka menduar që nuk mund të ketë më keq, ka rënë edhe një shkallë më poshtë.
Kosova mund të dallojë në shumëçka, por njëjtë si Afganistani e ka nevojën e një trupe ushtarake të huaj për ta mbrojtur nga vetja dhe nga të tjerët. Prandaj, është e pakuptueshme se si qeveria për ta mirëmbajtur mitin që e kanë ndërtuar me ushtrinë e vet virtuale, ruan status quo-në, që shpërthimin mund ta ketë në rrugën njëdrejtimëshe drejt katastrofës.
Tragjedia afgane është thirrje për zgjim. Kjo qeveri e ka mundësinë që ta kapitalizojë këtë thirrje në një zgjidhje përfundimtare. Por, a e ka guximin dhe aftësinë? Dyshoj t’i ketë.
Presidenti Joe Biden, kur iu drejtua kombit për ta arsyetuar vendimin për tërheqje të ushtarëve amerikanë nga Afganistani, tha se afganët dështuan në dy çështje thelbësore: ta gjejnë pajtimin politik mes vete dhe ta negociojnë një marrëveshje me talebanët.
Nëse në tekstin e njëjtë fjala “afganët” zëvendësohet me “kosovarët” dhe “talebanët” me “serbët”, fjalisë i ruhet i gjithë kuptimi. A do të thotë kjo që ushtarët amerikanë do të largohen nesër nga Kosova? Mund ta bëjnë. Mund të mos e bëjnë. Por, vetëm dyshimi është i frikshëm.
I frikshëm është edhe dyshimi karshi dialogut, që rritet ndjeshëm kur e sheh çfarë përzgjedhje emrash ka bërë qeveria për ta përfaqësuar në bisedime, përmes së cilave synohet dizajnimi i një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Pa fuqi publike, pa potencë politike dhe pa mësimet e marra nga e kaluara me dështime e disa prej tyre, shansi i fundit i Kosovës është lënë në duart e njerëzve që specialitet e kanë shpërdorimin e shanseve. Të shumë të tillave.
Disa prej tyre, në veçanti njëri, me etjen e sëmurë për t’u pranuar, me personalitetin refuzues ndaj gabimeve që nuk pushon duke i bërë dhe me smirën e dështakut(që dështimin e tij e përkufizon jo si padije, por si rastësi dhe pjellë e rrethanave të jashtme), rrezikojnë ta çojnë në erë të ardhmen dhe ta fshijnë kujtimin për të kaluarën.
Të vërtetat, po s’u thanë shpesh, rrezikojnë të harrohen. E kaluara e Kosovës nuk është një mjegullnajë, në të cilën nuk dihet kush ku ishte dhe çfarë përfaqësonte. As nuk është çështje perspektivash. Të gjithë i kishim pozicionet e qarta. Në mjegull u investua më pas, kur përfundimi ishte ai që ishte.
Prandaj, tani duhet bërë diçka. Momenti është i papërshtatshëm për “hapje rruge”. Nuk mund të rrezikojmë gjithçka, për t’i kënaqur apetitet e një maliciozi që botën e do mbraptsht, sepse ashtu ripozicionohet në krye.
Negociuesit supozohet të jenë përfaqësues jo vetëm të politikave të qeverisë, por të dëshirave të njerëzve dhe synimeve të një populli. Në Kosovë disa mund të duan bashkim me Shqipërinë. Të tjerë, Kosovën shtet. Disa edhe mund të kenë gjetur pajtim me një Asociacion brenda Kosovës. Një pjesë tjetër, për qartësim përfundimtar, janë për korrigjim territori.
Por, në ekipin negociator të Kosovës ka njerëz që s’e duan asnjërën nga këto. Ata kërkojnë kthim prapa. E duan Shqipërinë, por si vend për pushime. E duan Kosovën brenda një shteti tjetër, jo shtet më vete. Nuk duan Asociacion brenda Kosovës, por vetë Kosovën një Asociacion brenda një tjetër shteti. Edhe kufijtë e Kosovës i duan të tjerë, por vetëm si zona kadastrale brenda një tjetër kufiri të madh.
Dhe ky nuk është një parashikim racional për të ardhmen e përbashkët, por një argumentim emocional për të kaluarën individuale. Një ecje prapa në të ardhmen, sepse kur realiteti zhgënjen është dëshirë universale e njerëzve për t’i bërë vizitë të kaluarës.
Këtë vizitë në histori është mirë ta bëjmë të gjithë, për t’i kuptuar dhe kujtuar rreshtimet në periudha të caktuara. Kush janë njerëzit që negociojnë sot për Kosovën dhe çfarë deshën ata për vete dje, para se të duan çfarëdo për vendin sot? Shpalosja e kujtimeve mund të përbëjë episode të hidhura, por s’ka mënyrë më elegante për t’u nxjerrë e vërteta e zhveshur, sesa përshkrimet përmes shkronjave.
Fiksioni është më shumë sesa argëtim. Por, jo shije para pasqyrës.
Ndërkaq, i mbyturi ne Botoks kërkon një litar nga i cili do të mbahet. Vendi që ka zënë nuk është për ata me flokë të mbjellura dhe fytyrë të shpuar më gjilpëra. Sepse liria është shumë e shtrenjtë për t’ia besuar Morenës.
Liria është tepër e çmuar për t’ua lënë në dorë atyre që mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan me të. Sidomos atyre që nuhasin afër zyrës së kryeministrit dhe mendojnë se Kosova është një katund pa qen dhe ata mund të ecin pa shkop./Albanianpost.com