Çmimi i parë vjetor “Babel” për përkthimin letrar i jepet shqiptarit Eqerem Gaxholli – përkthyes i 5-së librave të botuar nga BOTART – nga revista ndërkombëtare e letërsisë dhe arteve “Mundus Artium”
Revista ndërkombëtare e letërsisë dhe arteve “Mundus Artium” në Riçardson – Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shpallur çmimin e parë vjetor “Babel” për përkthimin letrar, duke ia dhënë shqiptarit Eqerem Gaxholli, i njohur për shqipërimet e arrira në gjuhën e tij amtare të veprave rreth historisë e kulturës franceze dhe asaj europiane. Çmimi përurues “Babel” u dha në 25 dhjetor 2021. Për arsye të kufizimeve nga Covid 19 ceremonia u zhvillua online. Më poshtë vijon lajmi i publikuar nga media amerikane.
***
Bronks, Nju Jork, 25 dhjetor 2021 – Revista ndërkombëtare e letërsisë dhe e arteve si dhe organi i shtypit “Mundus Artium” ka shpallur dhënien e çmimit të saj të parë vjetor “Babel” për përkthimin letrar, shqiptarit Eqerem Gaxholli, i njohur për përkthimet e tij plot nuanca vërtetësie në gjuhën amtare të veprave rreth historisë franceze dhe asaj europiane.
Zoti Eqerem Gaxholli, një diplomat karriere, i cili ka jetuar në Francë për shumë vite gjatë shërbimit të tij qeveritar, ka punuar dhe botuar disa vëllime përkthimi, që mbështeten në lidhjet e tij të gjata me gjuhën dhe kulturën franceze, si dhe karakterizohen nga ndjenja e tij e jashtëzakonshme dhe e veçantë stilistike, si dhe qartësia në gjuhën shqipe. Ai konsiderohet si shqipëruesi më i mirë letrar, i cili përkthen nga frëngjishtja në shqip dhe arritjet e tij e rendisin atë ndër përkthyesit më të mirë letrarë në këto gjuhë.
Komisioni i dhënies së çmimeve të “Mundus Artium”, i bazuar tek udhëzimet nga këshilltarët francezë e zgjodhi njëzëri zotin Gaxholli për këtë vlerësim. Gjatë përzgjedhjes së punës së tij në përkthimet letrare, zoti Gaxholli ka shfaqur një përkujdesje të veçantë lidhur me temat e figurave kryesore, aq sfiduese në përfytyrimin e lindjes së Europës moderne. Një fushë e tillë referimi mund të shihet si plotësuese e natyrshme e përvojës së tij profesionale, por ndërkohë ajo është po aq domethënëse për faktin se ai shpalos një aftësi të rrallë për të ndarë veten nga gjuha dhe mendësia e politikës, në mënyrë që të arrijë të përcjellë me vërtetësi shprehje artistike tepër të fuqishme. Përkthimet e kryera e të botuara të Gaxhollit deri më sot përfshijnë: “Gjeneral De Gol – Historia e jashtëzakonshme e liderit të Francës modern” nga Éric Roussel; “Robespier dhe Revolucioni Francez” nga Joël Schmidt; “Napoleon Bonaparti” nga Pascale Fautrier; “Planet e Hitlerit për Ballkanin (Nga Londra në Moskë) me autor Joachim Von Ribentrop; “Viktor Hygo – Jeta dhe vepra e gjeniut të Francës” nga Sandrine Fillipetti.
Parathëniet e zotit Gaxholli në librat e përkthyer tregojnë jo vetëm aftësinë e tij si përkthyes i afirmuar, por edhe si teoricien dhe njohës i thellë i filozofisë së përkthimit letrar. Përvoja e tij praktike si dhe njohja intime e jetës në Francë ia ka formësuar thellësisht dhe qartë personalitetin, si dhe ka përforcuar aftësitë e tij të veçanta.
Duke komentuar vlerësimin e sapodhënë, komisioni i çmimit “Babel” vuri në dukje se zoti Gaxholli është “shumë i suksesshëm në atë që bën, sepse e do dhe kupton artin dhe zanatin e përkthimit letrar në nivelin më të lartë. Librat që ai ka përkthyer deri më tani ofrojnë dëshmi të hollësishme të përvojës së tij përsa i përket zbërthimit të letërsisë nga një gjuhë e huaj, si dhe rindërtimin e saj në një tjetër. Patjetër që nuk mund ta kishim nisur dhënien e këtij çmimi me një kandidat më të kualifikuar se zoti Gaxholli”.
Eqerem Gaxholli kaloi njëzet vite duke punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë në vende dhe pozicione që përfshinin Hungarinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Francën. Ai ka përfaqësuar qeverinë shqiptare në një sërë komisionesh ndërkombëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në UNESCO.
***
Eqerem Gaxholli lindi në fshatin Kërpicë të rrethit Gramsh nën hijen e malit të Tomorrit dhe më pas studjoi gjuhën frënge në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ai gjithashtu mori një diplomë “Master” nga Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Pasi doli në pension dhe hoqi dorë nga postet qeveritare, zoti Gaxholli, i cili aktualisht banon në Tiranë, punoi dhe spikati si noter i njohur publik. Është i martuar, ka dy fëmijë, pesë nipër e mbesa dhe një stërnip.