Parashkrimi i krimeve, gabimi më i parë i Ramës përballë SPAK

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Skënder Minxhozi

Sa herë që janë pyetur në njëzet vjetët e fundit në lidhje me mosdënimin e krimeve të pretenduara të kryera nga kundërshtarët e tyre politikë, socialistët janë justifikuar duke e drejtuar gishtin tek drejtësia e kontrolluar nga Sali Berisha. “Nuk merremi dot me juristët e plepave”, ka qenë justifikimi klasik i Nanos, Majkos e më vonë Ramës. Nën këtë diçiturë u harruan fajet e përgjegjësitë shtetërore gjatë viteve ’90 kur u dogjën gazeta, u burgosën, rrahën e dhunuan politikanë e gazetarë, apo edhe kur qindra milionë dollarë kursime dhe apartamente u bënë tym nga firmat piramidale e kur shteti u çmend duke nxjerrë në rrugë ushtrinë kundër popullit të vet.

I njëjti fat i është rezervuar kohë më pas edhe zullumeve të tjera që kanë pasuar për shkak të arbitraritetit e arrogancës së shtetit, gjatë dekadës së parë të shekullit ku kemi hyrë. Gërdeci, 21 prilli, Rruga e Kombit, Marrëveshja Detare me Greqinë e të tjera histori të mbarsura eventualisht me korrupsion e shkelje ligji, janë përdorur si municion verbal në luftën politike në opinionin publik, por nuk e panë kurrë një proces serioz hetimi e gjykimi. Sërish “juristat e plepave” ishin justifikimi i përdorur vend e pa vend!

Sot Edi Rama ka ndërmarrë një kryqëzatë në epruvetë kundër SPAK. Është kryqëzatë në epruvetë sepse deri më sot nuk ka ndonjë provë se kryeministri dhe qeveria kanë penguar me fakte hetimin apo dërgimin para drejtësisë të zyrtarëve të lartë socialistë. E kundërta ka ndodhur. Krejt ndryshe nga sa bënte Berisha pas 21 janarit, kur i kthente mbrapsht fletë-arrestet e gardistëve tek dera e Këshillit të Ministrave, Rama nuk është investuar që njerëzit e tij të partisë të mos shkojnë në burg dhe as po i mbron sot, teksa sulmon SPAK. Po kërkon hetime për të tjerët, jo që hetimet të ndalen për të tijët!

Duhet thënë se ky presion publik i Edi Ramës është sa i kotë aq edhe i dëmshëm. Presioni politik mbi drejtësinë kujtohej një praktikë e arshivuar dhe madje thelbi i reformës në drejtësi që Edi Rama e konsideron suksesin më të madh të qeverisjes së tij, është që ta mbajë larg drejtësinë nga duhmat e politikës.

Lexo edhe :  Një "Stolpersteine" për Gazën

Ndërkaq, tek sheh tonet e rënda dhe seriozitetin me të cilin kryeministri ankohet për mosveprimin e SPAK ndaj Berishës, Metës e të tjerëve, nuk mund të mos tundësh kokën e të kujtosh se ndodhemi në vitin e nëntë të qeverisjes së Edi Ramës. Prej nëntë vitesh ai hyn çdo ditë në një godinë dhe punon në një zyrë prej nga janë urdhëruar vrasje njerëzish me duar në xhepa. Zyra e Ramës është po ajo zyrë ku Berisha, siç deklaronte publikisht në media, ishte kthyer në snajperin e pestë që do të vriste kreun e opozitës në 21 janar!

Në nëntë vjet, duke u fshehur pas “juristëve të plepave” socialistët jo vetëm amnistuan politikisht kundërshtarët e tyre, por edhe përfshinë në koalicion Ilir Metën (të cilin sot e anatemojnë) dhe e zgjodhën më pas president republike, u ulën e bënë pazare me Bashën dhe harruan de facto gjithçka për të cilën kishin luftuar kur ishin në opozitë. Duke çuar në këtë mënyrë drejt parashkrimit shumë vepra penale të asaj kohe, të cilat për shkak të djegies së afateve sot mund të jenë duke u arshivuar, duke hequr mundësinë procedurale të rihapjes, hetimit e gjykimit! Ky është gabimi më i parë i Ramës ndaj SPAK, që daton shumë kohë para deklaratave të orëve të fundit.

Sot apatia e dukshme e SPAK dhe heshtja e fajshme e Arben Krajës ndaj malit të dosjeve të qeverisjes Berisha-Meta, është gjithashtu edhe përgjegjësia direkte e nëntë viteve heshtje të qeverisjes socialiste. Gjatë të cilave viktimat e Gërdecit e 21 janarit morën vetëm nga një tufë lule, por kurrë drejtësi. Teksa ankohet për SPAK, Rama duhet të bëjë edhe bilancin shterpë të angazhimit të tij si maxhorancë dhe si qeveri, për të kërkuar, gjetur e ofruar fakte e prova për akuzat që i dëgjojmë prej njëzet vitesh. Nuk e kanë penguar “plepat” ta kryejë këtë gjë, e ka penguar natyra e njohur hipokrite e politikës shqiptare ku çdo gjë falet e harrohet. Porsi një rrahje krahësh në derën e një spitali, pas një shpërthimi gjigand në periferi të Tiranës…

Të fundit

Serbia në panik, zbulohet plani që do përmbyste qeverinë në Beograd

Serbia ëshë tronditur nga zbulimi i një plani për të përmbysur qeverinë dhe për të bërë një ndryshim me...

Inkuizicioni, zjarr i shenjtë apo urrejtje hyjnore?

Në shekullin XIII, Romës i vinte era tym dhe frikë – një erë që nuk vinte prej temjanit të altareve, por prej druve që...

Nxehtësia ekstreme, një kërcënim i padukshëm që përshpejton plakjen biologjike

Ndërsa valët e të nxehtit vazhdojnë të djegin pjesë të Hemisferës Veriore, shkencëtarët po zbulojnë një tjetër rrezik të fshehur të temperaturave ekstreme: ato...

Horoskopi ditor, 26 Korrik 2025

Dashi Dashuria: Nga pikëpamja sentimentale sot do të keni siguri nga i dashuri juaj dhe nuk do të keni nevojë ta kërkoni diku tjetër. Beqaret...

Fundi i luftës, fillimi i paqes: Deklarata e Potsdam-it dhe ultimatumi ndaj Japonisë

Në një Evropë të shkatërruar nga lufta dhe në hijen e ende të pashuar të Hiroshimës që ende nuk kishte ndodhur, më 26 korrik...

Lajme të tjera

Web TV