Merkatoja verore ditën e nesërme hyn zyrtarisht në muajin e fundit dhe skuadrat po përgatiten për sezonin e ardhshëm i cili pritet të fillojë më herët se zakonisht.
Më poshtë janë titujt kryesorë të disa prej mediave sportive në botë, që bëjnë një përmbledhje të shkurtër të nivelit të skuadrave, si dhe transferimeve të mundshme.
Gazeta “Sport” ka zhvendosur fokusin në yllin aktual të Barçës, Osmane Dembele. “Dembele, zemër blaugrane”, shkruan e përditshmja spanjolle.
“Portugezi vesh 7-n dhe ngrihet” shkruan prestigjozja “Marca”, e cila i referohet suksesit të Atletico Madrid ndaj Manchester United me gol të Joao Felix.
Spanjollja “AS” vjen me një titull mjaft interesant duke vënë në dukje nivelin e lartë të kompeticionit të Champions League për këtë sezon. “Champions-i më i shtrenjtë” shkruan “AS”.
“Dembele i ri” shkruan katalanasja “Mundo Deportivo”, me francezin i cili po shijon formën e tij mbresëlënëse me 3 gola në dy ndeshjet përgatitore.
Prestigjozja franceze “L’Equipe” shkruan “Një faqe e re”. Skuadra e PSG sot do të ndeshet me Nantes për Superkupën e Francës, me parizienët të cilët kërkojnë fitoren e parë në epokën e trajnerit të ri Galtier.
Në Itali, Juventus po zhvillon një nga merkatot më impresionuese vitet e fundit në Serie A. “Zonja shpenzon dyfish” shkruan “La Gazzetta Sportiva” me bardhezinjtë që synojnë transferimin e dy lojtarëve më shumë, Paredes dhe Martial.
“Corriere dello Sport” ka zgjedhur të përqëndrohet në merkaton e Napolit që vjen me titullin: “Napoli, ja ku është Kepa”. Skuadra e Spallettit synon gardianin e portës së Chelsea-t dhe një marrëveshje mes dy skuadrave duket se është pranë përfundimit.
“Pogba, ja e vërteta” shkruan “Tuttosport”. Francezi vijon i dëmtuar dhe ende nuk dihet kohëzgjatja e rikuperimit të tij. Gjithçka do të mësohet ditën e nesërme pas ekzaminimeve që pritet të bëhen në Torino.