Joshte shefat e NATO-s, demaskohet spiunia ruse Olga Kolobova

Një dizajnere bizhuterish që qëndroi në Evropë për rreth 10 vjet u zbulua se ishte në fakt një spiune ruse që depërtoi në NATO duke magjepsur dhe joshur komandantët e saj.

Ajo njihej si Maria Adela Kuhfeldt Rivera, por emri i saj i vërtetë ishte Olga Kolobova, dhe ajo ishte një spiune që punonte në emër të shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë GRU, sipas sajtit investigativ Bellingcat, i cili përdori softuerë për përputhjen e fotografive të saj për ta zbuluar.

Ajo ka qëndruar në Romë, Maltë dhe Paris përpara se të shpërngulej në Napoli.

Olga kishte një dyqan bizhuterish dhe merrte pjesë në festat e qytetit, duke përfshirë mbrëmje dhe ballo ku vinin edhe oficerë të NATO-s.

Ajo fliste rrjedhshëm anglisht dhe italisht dhe një oficer i paidentifikuar i tha Bellingcat se ai dhe ajo kishin patur një romancë të shkurtër.

Ajo u tha miqve evropianë se ishte braktisur në Rusi nga nëna e saj peruane dhe ishte rritur nga një familje abuzive.

Në vitin 2012, Maria Adela (cila në fakt ishte vajza e një koloneli në ushtrinë ruse), u martua me një burrë që thoshte se ishte italian. Por në të vërtetë ai ishte ekuadorian dhe rus, dhe vdiq në mënyrë misterioze në moshën 30-vjeçare për shkak të “pneumonisë së dyfishtë”.

Pas vdekjes së tij, ajo u shpërngul në Napoli dhe filloi të miqësohej me diplomatët e NATO-s.

Befas, në vitin 2018, Maria Adela u nis për në Moskë dhe miqtë e saj në Evropë nuk e kanë parë që atëherë.

Bellingcat teorizoi se mbulesa e saj u zbulua në një farë mënyre nga shërbimet e jashtme të inteligjencës, raporton NYP.