Rëndohet tragjedia e Halloween, 151 viktima në Korenë e Jugut, mbi 1 mijë të zhdukur

Festa e Halloween u kthye në tragjedi në Korenë e Jugut, ku të paktën 151 persona kanë humbur jetën.

Ngjarja ndodhi në Seul në zonën e Itaewon, ku mijëra njerëz kishin dalë për të festuar Halloween. Festa e parë që pas mbylljes dhe izolimit të Covid-19.

Të paktën 82 të tjerë u plagosën në zonën që njihet për jetën e natës Itaewon. Mediat e huaja përshkruajnë një skenë të dëshpëruar të njerëzve që shtypnin njëri-tjetrin.

Shumica e të vdekurve ishin adoleshentë ose në të 20-at e tyre. Thuhet se mijëra qytetarë u futën në një rrugicë që është e mbushur me bare e restorante dhe se njerëzit filluan të shtypnin njëri-tjetrin, por nuk dihet ende zyrtarisht shkaku i kësaj tragjedie.

Pas mbajtjes së një takimi urgjent, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, urdhëroi të ngrihej një grup pune për të ndihmuar në trajtimin e të plagosurve. Ai gjithashtu nisi një hetim për shkakun e përplasjes.