Solidaritet me tragjedinë/ Artistët bëhen bashkë për të ndihmuar Turqinë dhe Sirinë

Aktorë me famë botërore, këngëtarët e popit dhe legjendat e operës, po shprehin ngushëllimet e tyre për Turqinë dhe Sirinë e goditur nga tërmeti dhe i kërkojnë komunitetit ndërkombëtar që të ofrojë ndihmë. Në mediat sociale, dhjetëra personazhe të famshëm u bënë thirrje miliona fansave të tyre që të dërgojnë mbështetje për të prekurit e tërmetit në pjesët jugore dhe juglindore të Turqisë.

Ylli i Hollivudit, fitues i Oskarit, Russell Crowe, shkroi në Twitter: “Ah Turqi. Zemra ime. Lajme shkatërruese”. Crowe filmoi pjesë të filmit të tij të vitit 2014, “Water Diviner” në Turqi.

Disa orë pas tërmetit shkatërrues, aktori spanjoll Antonio Banderas shkroi në llogarinë e tij në Instagram: “Një përqafim solidariteti për popullin turk dhe sirian. Edhe aktori britanik Orlando Bloom shprehu dhimbjen për viktimat.

Tenori legjendar italian Andrea Bocelli dhe gruaja e tij Veronica dërguan gjithashtu një mesazh mbështetjeje. Këngëtari legjendar britanik, Yusuf Islam, i njohur gjithashtu si Cat Stevens, u bëri thirrje ndjekësve të tij në Twitter që t’u ofrojnë ndihmë viktimave të tërmetit, duke shpërndarë një varg nga libri i shenjtë mysliman, Kurani:

“Dhe kushdo që i shpëton jetën një personi, do të jetë sikur të kishte shpëtuar jetën e gjithë njerëzimit”.

Këngëtarja shqiptaro-britanike, fituese e çmimeve “Grammy”, Dua Lipa u tha 90 milionë ndjekësve të saj se si të mbështesin Sirinë dhe Turqinë e goditur nga tërmeti.

Maher Zain iu bashkua muzikantëve të njohur që bënë thirrje për mbështetje për viktimat e tërmetit.

“Pra, ju lutemi çfarëdo që mund të bëni për të ndihmuar, dhuroni, dërgoni të gjitha gjërat e nevojshme që mund të dërgoni si rroba, batanije.”

Mbi 21,000 njerëz u vranë dhe rreth 70,000 u plagosën nga dy tërmete të forta që goditën Turqinë jugore të hënën, sipas shifrave të fundit zyrtare. Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, u ndjenë nga 13 milionë njerëz në 10 provinca.