Berisha karikon demokratët, ju kujton fitoren e PD në ‘91

Ish-kryeministri Sali Berisha vijon takimet e shpeshta me prezantimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ai u ka kujtuar demokratëve vitin 1991, që përkon edhe me nisjen e përbysjes së regjimit komunist.

Ish-kryeministi Sali Berisha ishte dje në Has në një takim me elektoratin. Berisha ju ka dhënë siguri demokratëve se në 14 maj Partia Demokartike nën logon e “Partisë së Lirisë” , që sipas tij do të jetë një rrëzim i dytë i komunizmit. “Është e vërtetë që në 14 maj zgjedhim qeveritarët vendorë, por në 14 maj jemi në një mision të madh, një mision identik me atë që ishim në vitin 1992, për tu ndarë nga monizmi i dytë, regjimi më i keq që shqiptarët kanë njohur pas Enver Hoxhës në historinë e tyre”, u shpreh nga Hasi kreu i demokratëve Sali Berisha, gjatë prezantimit të Miftar Dautit si kandidat i opozitës në këtë bashki. Berisha ju ka kujtuar vuajtet popullit hasian. “Hasi dhe hasjanët e kanë të freskët dhe nuk e harrojnë kurrë vuajtjet, kalvarin e monizmit të parë që bazohej në doktrinën marksiste-leliniste, kasaphanën e luftës së klasave, hiperkolektivizmin e çmendur. Por monizmat nuk janë vetëm ideologjik. Historia e njerëzimit ka faktuar se monizmat janë katastrofat më të mëdha që kombet përjetojnë në historinë e tyre”, theksoi lideri demokrat. Sipas Berishës, regjimi i Ramës është regjimi i një pushtimi të brendshëm. “Sot pas 32 vitesh, një njeri, një lloj si në vitin 1990, ka në dorë të gjitha pushtetet, ka në dorë çdo gjë në këtë vend. Kontrollon çdo pushtet. Për këtë njeri, kushtetuta nuk ekziston, ligjet nuk ekzistojnë, normat morale nuk ekzistojnë. Ky njeri sillet ndaj shqiptarëve, ndaj hasjanëve si një armik i egër i tyre, regjimi i tij është regjimi i një pushtimi të brendshëm”, u shpreh Berisha.
Eksporti i energjisë
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se një pjesë e madhe e energjisë që duhet të shkonte për eksport, vidhet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku. Berisha tha se kjo vjedhje realizohet përmes zbrazjes së digave dhe shitjes së energjisë me çmim të lirë te sekserët e qeverisë, që sipas tij e shesin më pas me çmim më të shtrenjtë dhe ndajnë paratë. Ai tha se në vjedhje marrin pjesë edhe anëtarë të tjerë të qeverisë, të cilën ai e quan kriminale. “Rama ua mbyll dyert e universitetit me mesatare dhe ata kapin gomonet. Rama do t’i zëvendësojë shqiptarët me bangladeshas sepse thotë ata nuk votojnë, sepse Rama ka frikë dhe tmerr nga vota juaj. Në 14 maj ne votojmë për demokracinë. Sot në të katër anët e vendit shumica e shqiptarëve përjetojnë një shtrëngicë të madhe ekonomike. 83 % e tyre duan të largohen nga Shqipëria. Kjo sepse mezi e mbyllin muajin. Kjo pasi dasmat dhe ditëlindjet u shndërrohen në ditë dhimbjeje, në pamundësinë për t’i festuar si duhet”, u shpreh Berisha. ish kryeministri ka hedhur akuza edhe mbi shpërdorimin e parave për punë publike. “Ky ndërton një km autostradë 24 milion dollarë, kur në Europë nuk ndërtohet më shumë se 2-3 milion dollarë. Paratë i ndan dhe i vjedh”, tha ai. Po ashtu ai u ndal edhe tek vjedhjet që bëhen tek hidrocentralet. “Dy vitet e fundit kanë shënuar një arritje historike për kombin. Falë hidrocentraleve të reja që janë ndërtuar, këto prodhojnë 58-60 % të energjisë që prodhohet në vend. Shqipëria me gjithë konsumin e saj, konsumon 7 miliard. 2 Miliard teprojnë, eksportohen dhe duhet të shkonin për investime. Por ato para vidhen. I zbrazin digat verës dhe energjinë që prodhojnë ua shesin sekservëve të tyre me 20-30 euro. Ajo Ballukja me Edi Raman. Këta sekserë që e blejnë energjinë me 20-30 euro e shesin në bursë me 150 euro dhe i ndajnë paratë me Ramën, Ballukun dhe anëtarë të tjerë të qeverisë kriminale të Ramës. 5 miliard euro ka marrë borxh Rama. Mund të rriteshin rrogat 6 herë. Të gjitha të shpërdoruara”, u shpreh Berisha.