Përfaqësues të PL-së kanë depozituar në Kolegjin Zgjedhor ankimin ndaj KQZ dhe KAS për të bërë Berishën kryetar të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Kreu i KQZ-së i kërkoi gjykatës të shprehet sa më shpejt pasi po pengohet vijueshmëria e procesit parazgjedhor me prodhimin e fletëve të votimit.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor ankimimin kundër vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, i cili vendosi në fletën e votimit emrin e Ilir Metës.Gjithashtu KAS, të hënën, nuk pranoi kërkesën e Partisë së Lirisë, si parti udhëheqëse, që përbri koalicionit të vendosej në fletë emri i deputetit Sali Berisha si drejtues i koalicionit ”Bashkë Fitojmë”. Kolegjit Zgjedhor i është drejtuar edhe komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi. Ai i kërkon trupit gjykues të shqyrtojë brenda 24 orëve ankimimet e partive politike për të shmangur vonesat në prodhimin dhe shpërndarjen e fletëve të votimit. Zëdhënësja e “Rithemelimit”, Floriana Garo ka akuzuar 4 anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve si ‘mercenarë’ të Ramës pasi nuk pranuan të vendosnin emrin e Sali Berishës në fletën e votimit si drejtues i koalicionit të tij me Metën.Në një deklaratë për mediat Garo tha se vendimi i marrë nga KAS është absurd ndërsa kërkesa e bërë nga nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari është legjitime.Ajo tha se vendimi nuk ka qenë aspak logjik dhe se është marrë duke ndjekur urdhrat e kryeministrit Edi Rama.“Ilir Rusmali, Elvin Lako, Koli Bele dhe Ledio Braho, katër mercenarë në oborrin e Ramës me qëllim trembjen e opozitës, kanë marrë një vendim në emër të KAS, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, që turpëron edhe letrën ku është hedhur.Ata provuan se ata janë vrasës të parimeve themelore të zgjedhjeve të lira.Ata i janë kthyer me një “Jo” absurde, kërkesës legjitime dhe sovrane të n/Kryetarit të Partisë së Lirisë, z. Endrit Braimllari, në emër të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që drejtues i koalicionit të ishte z. Sali Berisha.Me urdhër të Edi Ramës, në dhunim të parimeve më themelore kushtetuese e demokratike, u heqin partive opozitare të drejtën për ta zgjedhur. Sipas tyre, atë duhet t’ua caktojë padroni i tyre, Edi Rama”, tha Garo. Sipas saj dhe Rithemelimit, arsyeja është e qartë. “Arsyeja e vendimit është e qartë, dhe, nuk është as ligjore, as kushtetuese, as logjike dhe as morale. Duke ndjekur urdhrin dhe gjuhën që e përdorin përditë Rama dhe Brava-Alibashët, të tmerruar nga fitorja e opozitës, besojnë se, me një vendim të tillë mund t’i pengojnë ata”-thuhet mes të tjerash në reagimin e Rithemelimit.Një ditë më parë, KAS vendosi që emri i kryetarit të Partisë së Lirisë të jetë në fletën e votimit ndërsa Kolegji Zgjedhor pritet të japë ‘fjalën e fundit’”, është shprehur Garo.