Monedha euro ka pësuar sërish rënie në kursin e këmbimit valutor në Shqipëri duke prekur nivelin më të ulët pas sezonit turistik. Dje (15 nëntor) euro ka prekur nivelin e 103.97. Por përse po ndodh kjo ulje e nivelit të euros, kur pas sezonit turistik pritej një rritje? Eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj tha në Report Tv se kjo situatë po tregon se ulja e nivelit të euros nuk ishte vetëm për shkak të ardhjes së turistëve.
“Nuk është një ndikim nga momenti edhe pse u tha që ardhja e turistëve ndikoi fuqishëm. Ndikimi kryesor nga sa po duket nuk ishte thjesht dhe vetëm ardhja e parave nga turistët që ka dhënë atë ndikim por jo me një përqindje shumë të madhe sa viti i kaluar. Një pjesë e mirë e parave që vijnë nga turistët shkojnë tek ekonomia informale, e cila nuk është se i hedh në qarkullim, por i mban për qëllime të ndryshme dhe për tu mbrojtur nga ndryshimet e shpeshta të legjislacionit. Futja e parasë e cila vazhdon në formën e investimeve, një pjesë e mirë po vjen në formën e kompanive offshore. Rreth 35% e investimeve të huaja vitin e kaluar ishin nga kompani ofshore, nuk është tregues që flet për transparencë fiskale, mund të jenë lekë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”, tha Gjokutaj.
Sipas ekspertit Gjokutaj, shqetësim mbetet pastrimi i parave që po ndikon në uljen e nivelit të euros. I ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, eksperti i ekonomisë thotë se kjo rënie drastike e euros në këtë periudhë kur pritje rritja tregon se nuk vjen më nga arsyet zyrtare, si rritja ekonomike, turizmi apo remitancat.
“Ajo që ngelet shqetësim është mungesa e raportimit sa i takon qeverisë për parandalimin e pastrimit të parasë. Logjika të çon që ka pastrim parash që ndikon në gjithë këtë, pasi rrit ofertën, por më së shumti një rënie e tillë drastike aq më tepër në një periudhë që pritet një rimëkëmbje e euros dhe dobësim i lekut, nuk vjen më nga arsye zyrtare, por nga ato arsye që janë detyra të pabëra, qoftë nga banka që nuk po vepron për deeurozim, apo çfarë qëllimi do ndiqet se kjo duket një tendencë që eksportuesit do i ndikojë edhe në 2024, nga ana tjetër s’po marrim çmim më të ulët nga importet. Pastrimi i parave bëhet përmes bankave, që nga Anlia, Zvicra dhe shumë të tjera. Shqipëria s’ka si përjashtohet nga ky lloj fenomeni”, u shpreh Gjokutaj.
Sa i takon këtij fenomeni, Gjokutaj shprehet se Banka e Shqipërisë duhet të rrisë kontrollet për bankat tregtare.
“Banka duhet të rrisë kontrollin dhe monitorimin ndaj bankave tregtare që në vetvete janë banka që kanë lidhej direkt me klientelën. Të marrë fushatë gjithëpërfshirëse për deeurozimin apo për të pasur një qasje, a do bëhet vërtet një deeurozim, apo do vazhdojmë më idenë që ky proces që po ndodh me mbivlerësimin e lekut po na ndihmon të ulim vlerën statistikore të borxhit publik”, vijoi Gjokutaj.
Eksperti Gjoktuaj foli edhe për kriptomonedhat, i cili thotë se në vende si Shqipëria po përdoren për pastrimin e parave.
Një vërshim i vizitorëve jashtë do të kërkojë një euro më të madhe në treg dhe mund të ndikojë deri diku. Por se dimë se para kanë ndërmend të futen ende për tu investuar në ndërtim kryesisht. Mos të harrojmë që do futen lojërat e fatet që do kërkojnë investime të fuqishme në teknologji. Kriptomonedha po përdoret në shumë vende si Shqipëria për t’i shërbyer pastrimit të parave. Është në funksion të pastrimit të parave, miratimi i ligjit që të sillte sa më shumë kapital të lirë, nuk kemi asnjë llogaridhënie, apo transparencë me të dhëna se ca po ndodh në atë sektor. Nuk është as në mbikëqyrjen e bankës. Është një treg që vetërregullohet./e.t