Nga Nesip Kaçi
Ngjarjet e së kaluarës meritojnë të rikujtohen sepse prej tyre mund të nxirren mësime të vlefshme. Këtw mund ta themi me plot gojë edhe për luftën që bëri Petro Nini Luarasi në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe shqiptarizmës.
Kush ishte Petro Nini Luarasi, përse e kujtojmë me kaq nderim, respekt dhe dashuri të thellë. Ai lindi më 1865 në fshatin Luaras të Kolonjës nga një familje malësore bujqësh.
Pasi mbaroi shkollën greke të katundit Hotovë, u dërgua në Qestorat, në “Zografia”. Këtu u vu nën kujdesin e Koto Hoxhit, që i dha mësimet e para të gjuhës shqipe. I kthyer në fshat emërohet mësonjës në Bezhan dhe këtu njihet me Sali Butkën. Nga Koto Hoxhi mori frymëzimin e ideologjisë nacionaliste, në Sali Butkën gjeti një një shok armësh me hovin e luftëtarit nacionalist.

Ç’farë shkruajnë shokët dhe miqtë e tij për jetën personale dhe familjare të Petro Ninit. Në librin monumental që ka shkruar profesor Alfred Uci për të , me titull : “ Petro Nini Luarasi – Martir i Rilindjes Kombërare, Mësues i Popullit dhe Nderi i Kombit “ një nga bashkëkohësit e Petro Ninit, i cili quhej Gori Sevo, shkruan si më poshtë : “ Petrua bënte një jetë të thjeshtë, fëmijët i mbante mirë, vajzat i dërgoi në shkollën e Qirjazit ( është fjala në shkollën e vashave të Sevasti Qirjazit në Korçë ) dhe djalin e madh në shkollën amerikane të bujqësisë në Selanik. Por vetë mbeti tërë jetën fshatar i thjeshtë në rrojtje, por ishte punëtor i madh në bujqësi : korrte, lidhte duajt, ngiste kuajt kur shinin, bënte mur dhe i pëlqente tepër të mbillte pemë dhe të shartonte.
Kur dolli nga shkolla dhe erdhi si mësues i greqishtes e mbaj mend se ishte i veshur me dolloman, por që kur u martua bëri rrroba të ngushta dhe kështu vishej kur shkonte në qytet. Armët do t’i kishte me vete gjithnjë dhe revolen gjashtare s’e hiqte nga brezi . Kur vente në qytet armët i kishte me vete. Edhe në Gjirokastër kur vinte për punë, martinën me fishekë i mbante në brez. Gjer sa vdiq nuk i hoqi kurrë armët nga brezi.
Nga trupi ishte i hedhur dhe shpatullgjerë, ballin e kishte të lartë, mustaqet i kishte pak si të verdha dhe të përdredhura vetiu. Kishte një të qeshur të ëmbël, fliste me zjarr e dëshirë dhe po ta lije nuk pushonte. Petrua shkonte mirë me të gjithë që nuk e dogëndisnin në sedrën e tij kombëtare, shumë turq e grekë i kishte miq të ngushtë.
Me patriotët e vërtetë si Vani Cico Kosturi dhe Orhan Pojani ka pasur veçanërisht marrëdhënie të mira si shokë e vëlla. Edhe vëllehtë i donte përgjithësisht edhe kur qe mësonjës i shkollës shqipe në Korçë shkonte gjithnjë me mësonjësit vëlleh . Kishte njohje të mirë me Koto Hoxhin.
Petrua u thoshte shokëve, shpresën të mos e humbim kurrë, Shqipëria do të bëhet do ta fitojë edhe vetqeverimin e saj së shpejti. Një herë, thotë zoti Gori Sevo, i thashë : “ Ti , zoti Petro me këto libra që na lëçit (lexon ) dhe me këto këshilla që na jep, na e ke bërë kokën shqipe. Hiq dorë nga shqipja se do të gjesh belanë ndonjë herë…” Dhe ai ma preu fjalën me sopatën e dardharit : Jam i lumtur të punoj për gjuhën shqipe dhe Shqipërinë “.
Unë di këtë të them për Petron, kurrë s’e dëgjova një herë të fjalosej greqisht ose tukçe me ndonjë shqiptar. Kur Petrua lëçiste shqipen iu bënë vërrejtje kaq herë nga ana e dhespotit t ë Kosturit dhe i propozuan rrogë 50 lira në vit si drejtor ose si inspektor i shkollave greke, por ai nuk pranoi të heqë dorë nga shqipja, gjersa pastaj filluan ta luftojnë barbarisht. Kështu dhespoti i Kosturit e mallëkoi Petron.
Në shkurt të vitit 1904 qeveria osmane, e nxitur nga grekomanët, dha urdhër të kapej Petro Luarasi por ky iku fshehurazi në Amerikë pa i treguar njeriut. Iku me pasaportën Petro Kostandini dhe jo Petro Nini. Petrua dhe katër shokë të tjerë kaluan në itinerarin Selanik, Hamburg, Nju York.
Pas ca kohe zuri punë në një fabrikë të leshit. S’andejmi vajti në Franklin, Mass. Një behar shkoi në Bufallo dhe në Jamestown, N.Y. Në këto qytete themeloi shoqëritë atdhetare “ Pellazgu “ dhe “ Malli i Mëmëdheut “ ,më parë se të themelohej “ Vatra “, duke u bërë guri themeltar për bashkimin e gjithë organizatave të tjera, që filluan më pastaj. Petro Nini kudo bënte bisedime, mbante konferenca, shkruante korrespondenca, shkruante vjersha, artikuj në gazetën “’Kombi “, “Bashkimi” ,“ Drita “ me inicialet P.N.L. ( Petro Nini Luarasi ).
Për atë kohë Fan S. Noli shkruan në një letër : “ S’ka asnjë dyshim që Petro Luarasi luajti rolin kryesor në themelimin e shoqërisë “ Malli I Mëmëdheut “ në Jamestawn, N.Y. Unë kam vajtur në Amerikë, shkruan Fan Noli, më 1906 i inkurajuar nga themelimi i kësaj shoqërie. Me Petro Luarasin, shkruan Fan Noli, u poqëm më vonë në Klinton ( Mass ), ishte propagandist i palodhur dhe kudo që kish qëndruar në Amerikë linte nga pas një grup patriotësh entuziastë.
Punonte rëndë për të fituar bukën por nuk i kursente harxhet për cështjen kombëtare dhe të dielave udhëtonte nëpër kolonitë shqiptare për të përhapur ungjillin e nacionalizmës. Rreth Bostonit kam gjetur gjurmë të tij thuaj kudo, shkruan Fan Noli, ishte i pari pionier i lëvizjes kombëtare në Amerikë. Edhe me cështjen e kishës ortodokse shqipe, lojti një rol të madh dhe Petro Luarasi ka qënë flamurtari i parë.
Përsëri në Atdhe. Si mbaroi udhëtimin kolonive të emigrantëve, i la dyqanin një tjetri dhe vetë në fillim të prillit, bashkë me disa shokë u nis për në Shqipëri, që të bashkohej me kryengritësit shqiptarë. Më 2 maj kur u bë sulmi mbi Sarandën, ndodhej në çetën e çerçiz Topullit dhe për kujtim të kësaj dite shkroi në “ Drita “ të datës 15 maj 1908 artikullin e bukur “ Pranverë Shqiptare “
Shkolla e Negovanit. Në vitin shkollor 1910-1911 Petro Luarasi shkoi në Negovan që të çelte shkollën shqipe, atje në fund të vjeshtës së tretë (nëntor) shkolla kishte filluar. Këtë mot ndjekjet qenë më të dëndura dhe vrasjet nga ana e andartëve grekë në radhët e shqiptarëve të Negovanit ishin shumuar.
Për çdo muaj humbiste jetën nga një prej shqiptarëve më të mirë. Që të ish i papenguar dhe çdo gjë që të ndodhte të binte vetëm mbi kokën e tij, Petrua djalin e madh e e dërgoi në shkollën amerikane në Selanik dhe më të voglin e la në fshat.
Nën petkun e një mësuesi katundi, Petro Nini, arriti lartësinë morale të një figure biblike kur pat çelur shkollën e parë shqipe në një katund të Kolonjës. Te Petro Nini shohim të bashkuar dhe të shkrira në një, të gjitha cilësitë që i duhen luftëtarit të papërkulur të një ideje të madhe : të mësimit të gjuhës shqipe, të hapjes së shkollave shqipe.
Ai kishte kulturë të gjerë dhe qe i zoti i penës, fliste me një talent të çuditshëm dhe elektrizonte turmat. Atij i përket thënia : Edhe nëntëdhjet e nëntë herë të biem, prapë duhet të ngrihemi , fjala e tij ka një fuqi magjike, është fjalë apostulli, pionieri i epopesë kombëtare.
Revista “ Bota e Re “ shkruan si Petro Nini në një miting, ku kishin marrë pjesë mijëra vetësh, në Korçë, me rastin e shpalljes së Hyrjetit (Lirisë) ka theksuar : “ Në krye të tridhjet vjetëve, që kur zuri fill çështja e diturisë shqiptare,zhvillimi i kombit tonë, nuk është bërë shumë punë, ndonse koha kërkon të bëhet më tepër .
E para dhe e fundit punë është bashkimi. Kemi mall e dëshirë që të jemi edhe ne popull i liruar, të ecim në udhë që sjell qytetërinë, lirinë dhe mbaresinë ! Ora e trymbetës afroi : të gjithë të jemi nën flamurin e zjartë të Shqipërisë, për nder të jetës sonë. Profesor Alfred Uçi e ka cilësuar Petro Ninin “figurë madhështore e historisë dhe kulturës shqiptare.
PetroNini ngjalli me shkrimet e tij, me veprat dhe sakrificat e tij ndërgjegjen kombëtare të fjetur për disa shekuj, u bë yll drejtonjës i rinisë shqiptare, u bë theror i idealit për të cilin luftoi gjatë gjithë jetës. Historia e kombit për pavarësinë e Shqipërisë filloi me epopenë e Rilindjes Kombërare. Petro Nini, nënvizon Prof. Alfred Uçi, është një fytyrë e ndritur e historisë tonë, i cili mishëron virtytet e lashta të truallit shqiptar “.
Petro Nini ka thënë : “ Nëqoftë se më vrisni, ruajeni gjakun tim, që me të fëmijët të shkruajnë gjuhën shqipe “. Ky ishte amaneti i tij, që flet qartë për sakrificën që bëri në shërbim të ngjalljes së gjuhës shqipe dhe shqiptarizmës.
Mbasi dha një vit mësim në fshatin Katund, vjen në Luaras, këtu hap luftën e parë kombëtare. Pasi i kundërvihet dhespotit Kyril, duke hedhur poshtë këshillat e tij që të hiqte dorë nga gjuha shqipe, pastaj hodhi poshtë edhe premtimet e majme në lira (para), mallëkohet nga dhespoti, por nuk u trëmb , as nuk hoqi dorë nga atdhetarizmi i tij shqiptar. Petrua nuk i vuri veshin dhespotit, shkon në Ersekë dhe hap shkollë shqipe private për inat të dhespotit. Lufton i vetëm kundër dhespotit dhe kundër feodalit-kajmekamit.
Në fund të atij viti shkon në Korçë, ku merr përsipër drejtimin e shkollës shqipe, së cilës i qe vrarë drejtori, Pandeli Sotiri, prej së shoqes së vetë greke në Stanboll 1889-1890). Petro Luarasi në Korçë burrë i fortë dhe trim nuk u step nga shtrëngimet e autoriteteve, as nga shtrëngimet e armiqve, nuk i pranoi as të hollat e tyre dhe u bëri ballë edhe lajkave të tyre dhe triumfoi më në fund. Por mytesarifi në fund të vitit shkollor i komunikoi një urdhër të valiut të Manastirit me anën e të cilit lajmëronte se këtej e tutje nuk do çelej asnjë shkollë shqipe pa marrë lejen e posaçme nga qeveria.
Në këto rrethana Petrua , vete në Stanboll te Naimi (Frashëri) që ishte me detyrë për arsimin në Stanboll dhe bisedoi për çështjen dhe hallin që e kish gjetur. Shpejt u kthye dhe i mbushur me letra rekomandimesh për maarifmydyrjetin e Manastirit, qendër e prefekturës nga varej Korça. Shkolla shqipe është njohur zyrtarisht dhe Petrua fitoi edhe një diplomë të posaçme me anën e së cilës lejohet të ushtrojë profesionin si mësonjës i gjuhës shqipe në Korçë.
Në vitin 1892 u hapën edhe gjashtë shkolla të tjera shqipe në fshatrat e Kolonjës : Luaras, Gostivisht, Rehovë, Vodicë, Selenicë e Pishës dhe Treskë. Këto shkolla mbaheshin me të ardhurat e shoqërisë “ Drita “ në Bukuresht,që kryesohej nga patrioti korçar Nikolla Naçi. Atëhere Petrua largohet nga vendi që kishte në Korçë dhe shkon në Luaras të ngrejë qendrën e drejtimit të atij rrethi të vogël arsimor, bëhet inspektori i parë shqiptar i shkollave fillore shqipe.
Gazetari i shquar i viteve 30 të shekullit të kaluar, Branko Merxhani, që e ka admiruar dhe vlerësuar lart veprën e këtij dëshmori të gjuhës shqipe shkruan : “ Petro Luarasi luftoi 25 vjet pa rreshtur, pa u lodhur dhe pa u trembur nga asnjë rrezik. Luftoi për një ide, për një endër midis endrave, midis burgjeve, mes kurbeteve dhe varfërisht”.
Kolosi i gjuhës shqipe Eqrem Cabej, për këtë apostull , mbrojtës dhe përhapës të zjarrtë të gjuhës shqipe shkruan : “ Petro Nini është mësonjës i popullit në kuptimin e vërtetë të fjalës, nxënës i denjë i Koto Hoxhit Qestoratit e shok idesh i denjë i Papa Kristo Negovanit, gjithë idetë i shkriu për një ide e një punë kryesore, kjo ishte përpjekja për hapjen e shqipes në shkollën shqiptare dhe si gjuhë e shkrimit të përditshëm dhe literaturës.
Gjuha dhe historia e një populli përbëjnë konceptimin e nacionalitetit të tij. Ai vuri gjithë përpjekjet për pastrimin e shkrimit shqip. Ai ka vënë një gur në ndërtesën e gjuhës shqipe. Në historinë e formimit dhe zhvillimit të shqipes si gjuhë shkrimi Petro Luarasi zë një vend më vete.
Profesor Mahir Domi për këtë dëshmor të gjuhës shqipe ka theksuar : “ Petro Nini Luarasi është apostulli i arsimit kombëtar e publicist luftarak, bashkëpuntor i Naim Frashërit dhe Sami Frashërit, Papa Kristo Negovanit, Cerciz Topullit, Sotir Pecit dhe Fan Nolit.
Në autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, që themeluan rilindësit me platformën e Rilindjes Kombëtare, Petro Nini Luarasi ka vendin e tij të nderuar”. Për ndihmesën e Petro Nini Luarasti në autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare ka folur e shkruar edhe Fan S. Noli.
Petrua mallëkohet për herë të dytë. Në vitin 1892 dhespoti i Kosturit, Filaretos, duke dalë për shëtitjen e zakonshme për inspektim erdhi edhe në Kolonjë dhe në fshatrat e saj dhe mbeti i habitur për përparimin e shkollave shqipe. Mënd pëlciti. I dëshpëruar krejt, shpejton për në Korçë, ku mbledh miqtë dhe bashkëpuntorët e tij dhe hedh një mallëkim dhe aforizëm të rreptë kundra Petros dhe shokëve të tij, me të cilin mallëkon çdo të krishter që vjen në marrëdhënie me këta dhe që dërgon djemtë shkolla shqipe.
Por fshatarët, bashkëpunëtorë të Petros, treguan kundërshtim të guximshëm kundra mallëkimeve të dhespotëve. Atëhere dhespoti i ndihmuar nga grekomanët e vendit, përgatitën tertipe të tjera. Padisin dhe shpifin kundër Petros te valiu i Manasririt.
Vjen drejtori i policisë së Manastirit, Haxhi Osman Beu në Luaras dhe fillon hetimet. Më në fund Petrua paditet si shkaktari i vetëm i themelimit të shkollave. Katër muaj Petron e mbajtën në burgjet e Manastirit. Më në fund shpëton me kusht që të mos mirrej më me shkollat. Gjashtë shkolla të Kolonjës mbyllen.
Më 17 gusht 1911 Petro Nini Luarasi vdes, e helmuan. E vërteta mbi vdekjen e Petro Nini Luarasit : Në datën 17 gusht 1911 Petro Nini Luarasi vdiq në moshë 46 vjec. Djali i tij, Skënder Luarasi, pjesëmarrës në Luftën e Spanjës dhe profesor i anglishtes në degën e gjuhës angleze në fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ka shkruar për helmimin e babait të tij, si më poshtë : Për vdekjen e Petro Luarasit prej helmimit, aso kohe u bind gjithë bota.
Përpjekjet që bënë konspiratorët grekë dhe xhonturq për të kamufluar, mbuluar dhe fshehur aktin e tyre kriminal ishin të kota, nuk mbulohet dot dielli me shoshë. Opinioni publik e mori vesh të vërtetën se atë e helmuan dhespotët grekë dhe veglat e tyre në Kolonjë. Petro Nini Luarasi, ky atdhetar i flaktë vdiq në Ersekë në gusht të vitit 1911.Grekomanët kishin organizuar një shoqëri të tyren në Kolonjë me kryetar dhespotin e Kosturit, Joakimin, me të cilin Petro Luarasi kish qënë në luftë për vdekje. Pet Prodani qe nënkryetar i kësaj shoqërie, një doktor grek Joan Athanas Janulis, ishte sekretar i saj.
Atë pasdreke fatale, prej dyqanit të Pet Prodanit, Petrua shkoi në spicerinë (farmacinë) e Janulit. Në këtë interval Petro Luarasi u sëmur. Që e helmuan s’ka dyshim. Pyetja bëhet ku u helmua? Në dyqanin e Pet Prodanit apo në farmacinë aty pranë, të Janulit. Para farmacisë Petrua u rrëzua për dhe, sa doli prej saj.