Nga Kastriot Kotoni
Ndërkohë që në parlamentin shqiptar ka plasur “epopeja e flakadanëve” dhe e “kalasë dibrançe” me karriget, thashë me vete të shkruaj diçka për një antikuarist të së ardhmes i cili nuk ka lindur ende dhe siç duket i sëmurë nga sëmundja e pashërueshme e koleksionistit, hedh grepat tek ndonjë dëshmitar i afërt apo i largët, i cili ka lidhje me ndonjë nga këta deputetët e flakadanëve dhe karrigeve në formë kalaje. E di se në çdo kohë ka njerëz që mbledhin sende të vjetra të ruajtura mirë që koha ua shtonë vlerën, kështu që personazhin e stisur e kemi nga më të kualifikuarit falë internetit edhe inteligjencës artificiale. Ai do interesohet si fillim çfarë ka ngelur ndonjë objekt me vlerë qysh nga koha e parlamentit të parë shqiptar, më pas do vijoj me numrin e kryetarëve të parlamentit dhe emrat e tyre, po ja edhe këta do thotë ai mos kanë lënë ndonjë kuti boje shkrimi, apo ndonjë stilolaps, e më pas do kërkojë zarfe me pulla postare të kohës, sepse kanë një dëshmi të korrespondencës me partnerët ndërkombëtar si dhe të ftuarit e nderit që kanë marrë pjesë në parlamentin shqiptar. Ai koleksionisti do të koleksionojë edhe shtypin e kohës, e më pas do të fillojë të lundrojë në site të historisë së parlamentarizmit shqiptar dhe me të drejtë mund të bëhet manjak si shumë koleksionist të tjerë, e të kërkojë gjëra të paimagjinueshme për miliarda njerëz në botë, ta zemë kollaret e kryetarëve të parlamentit, apo shami, e shalle e shumë sende private, maja penash e stilografësh sigurisht që po, blloqe shënimesh, pistoleta që kanë goditur njëri tjetrin parlamentarët shqiptar, pse jo edhe ndonjë gëzhojë si dëshmi e rrallë e luftës politike në Shqipëri. Sende, apo objekte të ndryshme nga vjedhja që u krye në zyrat e “Kuvendit”, si pasojë e grushtit të shtetit më 1998, nga ish PD-ja e udhëhequr nga zoti S.Berisha. Po ku ka më bukur se të kesh syzet e Gaz Bardhit pas 100 vjetësh i cili në përpjekje heroike me gardistët i shpëtoi ato! Po sikur edhe një cep kartoni nga ato flakadanë shumëngjyrësh të kishte si dëshmi pas 50-100 vjetësh do ishte mrekulli, do thosh koleksionisti, pse do të linte gur pa lëvizur për të gjetur ndonjë cop të karrigeve të djegura? Të linte Flamur Nokën pa e futur në histori do të ish mëkat i madh dhe kush e di sa njerëz nga fshatrat e Kukësit do të takonte antikuaristi (koleksionisti), për të patur qoftë edhe një gravatë të heroit të “Rithemelimit”. Po një grup devollinjsh trima e sypatrembur, që zbatonin me përpikmëri formulat e revolucionit të flakadanit, si zotërinjtë Nallbati, Salianji dhe Spaho, a do t’i harronte? “Rithemelusit” duhet patjetër të kenë ndonjë pllakat, bust, apo pikturë, nga ndonjë dorë skulptori, apo piktori që do t’i përfshijë në grup dhe veçmas, kjo padyshim do të ketë edhe çmimin më të lartë si vepër arti për koleksionistin…..Restaurimi i tyre nga fenomenet natyrore do të kishte kosto astronomike, por do ia vlente si një vepër dëshmi e historisë. Por edhe sikur koleksionisti të mos dinte asgjë për veprat fallco që shiten në kohën tonë, si çiftelitë prodhim kinez, apo magnete me gërma cirilike shkruar me gabime emri i Shqipërisë, të cilat vijnë nga Kina me porositës tregtar grek, deri tek magnetet e Adem Jasharit prodhuar në Serbi, nuk do t’i bënin përshtypje koleksionistit. Koleksionisti as që do të merrej me historinë se kush i shiste e nga ishte koleksionisti i viteve 1992-2224, sepse ai duke ndjekur parlamentarët e ka kuptuar se ku ikën gjitha ato vlera muzeale nëpër fshatrat e qytetet e Shqipërisë, po do të dijë ai, se njerëz makut dhe injorantë përballë joshjes për para shkatëruan varre 2500 vjeçare, tregtuan vlera të rralla nga kishat e xhamitë dhe tyrbet e vendit, lëre pastaj sa piktura e skulptura të kohëve të realizmit socialist u shitën thuajse falas njerëzve, për një vizë në perëndim. Maune të tëra kanë shkuar drejt Italisë me mallra që shiteshin tek “Pazari i Ri”, që nga kova legena prodhim shqiptar, mobilje të mobilerive të ndryshme, radio , televizorë “made in Albania”, më pas veshje civile dhe ushtarake të të gjitha kohërave. Më thoni sa qytetarë sot tregtojnë në qendrat e qyteteve tona antikuarin shqiptar , pothuajse numërohen me gishtat e dorës. Artizanët po firasin e trashëgimia e zanateve të tezgjaut, punimeve të filigramit e metaleve me ngjyra, që dikur punoheshin me dorë po u bie shkëlqimi, se të mbyt tregu i huaj, sheh pak punime dore të çantave prej leshi, llullave dhe siç po duket për nja dhjetë vjet do zhduket mulliri i kafes, një nga objektet më të mira që ia vlente të mburreshe. Nuk janë punë mentaliteteshe paragjykimesh këto fenomene, por historia e antikuarit pas viteve 1991 filloi nga fshati apo katundi dhe katunari, i cili me turra vrapin për t’i ikur varfërisë, ose do vinte drejt qendrave të mëdha, ose do të ikte nëpërmjet kufirit duke marrë me vete edhe sende, apo objekte të rralla. Në shumë tezga të tregtarëve të antikuarit sheh me shumicë ende këmborë dhe patkonjë dhe ndonjë vegël pune. Libri antikuar nuk e besoj se do t’i hynte në punë koleksionistit pas 100 vjetësh, sepse në ka sakrificë dhe mbijetesë mentale tek ky popull, këtë e tregon ruajtja me fanatizëm dhe heroizëm i librave fetarë së pari, së dyti i librave të ndaluar për shkak të “Nenit 55 të agjitacion propogandës”. Fatmirësisht filatelia rezistoi, se ajo sot është në një nivel të klasit të parë prej faktit që Shqipëria si vend i vogël njihet pak në botë dhe maturimi i koleksionit për çdo seri pullash është i kufizuar. Nomizmatikwn ta qaj me lot koleksionisti i së ardhmes, po do kërkoj stërnipin e ndonjë katunari me origjinë nga Kraba. Kultura e antikuarit në fakt tregon edhe formimin kulturor të një populli dhe kjo temë është sa e gjërë dhe e gjatë, por mbi të gjitha si do ta kultivojmë kujtesën tonë materiale pa një minimum njohurish, kur nuk e ke kultivuar në familje dhe shoqëri me shekuj. Shqipatrët e Italisë, De Rada, Lef Nosi, Bajroni, Edit Durham, Mitat Frashëri, Bushatllinjtë e Shkodrës, Mihal Turtulli, Familja e Vlorajve, Fishta, Koliqi, Konica e Noli ishin dishepujt e parë të antikuarit shqiptar, ndaj që të ndjekësh rrugën e tyre duhet kulturë dhe padyshim dashuri për gjithçka shqiptare që ka vlerë kudo në botë./kb