Për herë të dytë, Sali Berisha nga ballkoni i shtëpisë ku po mbahet nën masën e arrestit të caktuar nga GJKKO, ka dalë para militantëve të tij dhe ka mbajtur fjalime, duke thyer në njëfarë mënyrë urdhrin e gjykatës për të mos komunikuar me persona të tjerë jo familjarë.
I ftuar në studion e emisionit, “Kontrast” në Report Tv, analisti Lorenc Vangjeli e cilësoi këtë si një strategji totalisht të gabuar që po ndiqet nga ish-kryeministri.
Sipas Vangjelit, në këtë mënyrë Berisha po kërkon të shndërrohet në “viktimë” të një lufte politike ndërkohë që më herët nuk respektoi masën e caktuar nga GJKKO për “detyrim paraqitje”.
“Doktori ka hyrë në kursin e përplasjeve me drejtësinë. Besoj se është strategji e gabuar, tentativë e tij për t’u shndërruar në viktimë dhe martir të një lufte politike. Masa e re e arrestit për doktorin nuk ka të bëjë me çështjen por me mënyrën sesi u soll vetë gjatë këtij procesi.
Nëse do të mbante masën e parë, nuk do kishim mbërritur këtu. Në këtë moment doktori shikon se e vetmja rrugëzgjidhje për të është që të avancojë në këtë kurs përplasje. Do dëgjojmë lajme të tjera, ndoshta ngjarje shpërthyese”, u shpreh Vangjeli./ S.M