Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh. Raportohet se 62-vjeçari u eliminua nga Izraeli në një sulm me raketë në rezidencën e tij private në Teheran, shkruan media saudite “Al Hadath”. Ndërkohë mësohet se raketa goditi ndërtesën rreth orës lokale 02:00.
“Fars News”, e cila është e lidhur me gardën revolucionare të Iranit, raportoi gjithashtu se Haniyeh po qëndronte në një rezidencë për veteranët në veri të Teheranit dhe se u vra nga një raketë e lëshuar nga ajri.
Hamasi ka deklaruar se Haniyeh u vra së bashku me truprojën e tij. Sulmi ndodhi pasi lideri i Hamasit mori pjesë në inaugurimin e presidentit iranian Masoud Pezeshkian.
Vrasja vjen në një kohë të vështirë për Lindjen e Mesme, me përshkallëzimin e konfrontimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut që kërcënon të zgjerohet në një luftë më të gjerë rajonale, ndërsa Hamasi lufton kundër ushtrisë izraelite në Gaza.
Vrasja e Haniyeh konsiderohet një goditje e rëndësishme për grupin militant palestinez, duke eliminuar një figurë kyçe që drejtoi grupin ndërsa jetonte jashtë shtetit.
Ndërkohë në prill, sulmet ajrore izraelite vranë tre nga djemtë e Haniyeh dhe katër nga nipërit e tij, sipas Hamasit./ S.M