Zimbabve do të lejojë vrasjen e 200 elefantëve për herë të parë që nga viti 1988 mes shqetësimeve për mungesë ushqimi pas një thatësire të paprecedentë që ka goditur vendin.
Vendi i Afrikës jugore ka “më shumë elefantë sesa i duhen”, tha ministri i mjedisit i Zimbabve në një seancë parlamentare javën e kaluar.
Sipas raportimeve të mediave lokale, gjuetarët janë urdhëruar të vrasin 200 kafshë.
Gjuetia e elefantëve do të bëhet në zonat ku “ka pasur përleshje me njerëzit”, duke përfshirë Hwange, shtëpia e rezervatit më të madh të gjahut në Zimbabve, tha kreu i Autoritetit të Parqeve dhe Kafshëve të Egra, Fulton Mangwanya.
Duke përmendur përvojën e Namibisë fqinje, e cila më parë ka vrarë elefantët për konsum njerëzor, zyrtarët planifikojnë të thajnë mishin, ta paketojnë dhe t’ua dorëzojnë komuniteteve që nuk kanë mjaftueshëm ushqim.
Programi Botëror i Ushqimit thotë se Zimbabve po përballon thatësirën më të keqe në mbi 40 vjet. Kjo do të thotë se ka pak për të ngrënë në shumë zona pasi të korrat thahen dhe janë të dobëta.
Një numër ekspertësh dhe aktivistësh për të drejtat e kafshëve besojnë se vrasja e elefantit mund të ndikojë negativisht në imazhin e vendit dhe të dekurajojë turistët që të vizitojnë Zimbabvenë.
Zimbabve është shtëpia e rreth 100,000 elefantëve, popullsia e dytë më e madhe në botë pas Botsvanës.
Fondi Botëror i Kafshëve të Egra vlerëson se në kontinent kanë mbetur vetëm rreth 415,000 elefantë, nga tre në pesë milionë në fillim të shekullit të 20-të. Elefantët aziatikë dhe afrikanë konsiderohen të rrezikuar, me përjashtim të popullatave në Afrikën e Jugut, Botsvanë, Namibi dhe Zimbabve, ku ata klasifikohen si “të pambrojtur”. S.B