Ndër institucionet që nuk do të financohen më nga SHBA, të paktën për një periudhë 90 ditore, janë institucionet e reja të drejtësisë, veçanërisht SPAK. A do të ndikojë “braktisja amerikane” në punën e Prokurorisë Speciale? Flasin për gazetën “Fjala”, analisti Eduart Zaloshja dhe avokatët Indrit Sefa dhe Dritan Jahaj.
Nga Fernada Cenko
Vendimi i presidentit Donald Trump për pezullimin e përkohshëm të fondeve të ndihmës ndërkombëtare ka ngjallur diskutime edhe në Shqipëri, sidomos në lidhje me ndikimin e tij tek institucionet e drejtësisë si SPAK dhe BKH. Sipas analistëve dhe ekspertëve, edhe pse kjo ndërprerje e përkohshme ka krijuar pasiguri, nuk pritet që të ndikojë ndjeshëm në funksionimin e Prokurorisë së Posaçme dhe strukturave të reja të drejtësisë. Eduard Zaloshnja argumenton se ndihma financiare amerikane për Shqipërinë ka qenë gjithmonë modeste krahasuar me buxhetin e vendit, dhe pezullimi i përkohshëm nuk pritet të ketë ndikim të madh praktik tek institucionet e drejtësisë. Ai shton se në përfundim të periudhës 90-ditore, ndihma financiare për SPAK dhe BKH me shumë gjasa do të vazhdojë, pasi është pjesë e strategjisë amerikane kundër korrupsionit në rajon. Sipas Indrit Sefës, ky pezullim është pjesë e një premtimi elektoral të Trump për rishikimin e ndihmës ndërkombëtare dhe nuk do të ndikojë në mbështetjen strategjike të SHBA-ve për institucionet shqiptare. Ai thekson se presidenca e Trump ka qenë mbështetëse e fortë e Reformës në Drejtësi dhe se Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka luajtur një rol kyç në ngritjen e SPAK dhe GJKKO. Për këtë arsye, ai nuk e sheh këtë situatë si një sinjal të dobësimit të mbështetjes amerikane. Të dy vlerësojnë punën e SPAK, duke theksuar se reagimi i fortë i segmenteve të korruptuara kundër tij është një tregues i efektivitetit të këtij institucioni. Sefa veçon faktin se kundërshtimi i fortë nga politika dhe oligarkia ekonomike e konfirmon që SPAK është në rrugën e duhur, edhe pse ende nuk është një institucion perfekt. Në përfundim, pavarësisht pezullimit të përkohshëm të fondeve amerikane, mbështetja strategjike për Reformën në Drejtësi dhe institucionet e reja duket se nuk do të ndryshojë, ndërsa pritet që pas përfundimit të rishikimit, asistenca të vazhdojë në një formë apo tjetër. Ndërsa avokati Dritan Jahja shprehet se ndërprerja e fondeve amerikane Prokurorisëë Speciale SPAK mund ti krijojë sfida të reja, por gjithsesi
Eduard Zaloshnja: Pezullimi i fondeve amerikane nuk
e pengon SPAK-un, por krijon tymnajë mediatike
Si e shihni urdhrin e presidentit Trump për ndërprerjen e programeve të asistencës? A mendoni se kjo do të ndikojë në punën e Prokurorisë së Posaçme?
Pezullimi 90-ditor është pjesë e një rishikimi të gjerë të ndihmës ndërkombëtare amerikane, që prek një shumë totale prej 70 miliardë dollarësh. Për Shqipërinë, ndihma amerikane është relativisht modeste, rreth 18 milionë dollarë, të shpërndara në rreth 30 institucione dhe OJQ. Sa i përket SPAK-ut dhe BKH-së, ndihma financiare e SHBA-së për to është më pak se 1 milion dollarë dhe shkon kryesisht për trajnime, vizita studimore dhe pajisje teknike. Kështu që pezullimi nuk do të ndikojë praktikisht në punën e përditshme të këtyre institucioneve. Megjithatë, mund të krijojë një lloj tymnaje mediatike që ndoshta ndikon psikologjikisht tek punonjësit e tyre.
Kur fondet ndërpriten, duket sikur edhe vëmendja bie. A do të jetë mbështetja e SHBA-së në këtë periudhë “ngrirje”?
Mendoj se pas përfundimit të periudhës 90-ditore, ndihma financiare amerikane për SPAK-un dhe BKH-në do të vazhdojë. Kjo ndihmë nuk është në kategorinë e fondeve për projekte që administrata e Trump-it ka kritikuar, si leksionet klimatike apo programet sociale. Përkundrazi, lufta kundër korrupsionit është një prioritet i politikës amerikane në rajon dhe mbështetja për Reformën në Drejtësi nuk pritet të zbehet.
Si e vlerësoni deri tani punën e SPAK?
Unë bëj pjesë tek 75% e shqiptarëve që e vlerësojnë pozitivisht punën e SPAK-ut deri më sot. Megjithatë, pres edhe më shumë prej tij. Pas përfundimit të kësaj periudhe pezullimi, besoj se do të bëhet e qartë që mbështetja amerikane do të vazhdojë dhe SPAK-u do të ketë mundësinë të thellojë akoma më shumë luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.
Indrit Sefa: Pezullimi i fondeve nuk ndikon
te SPAK, mbështetja amerikane do të vazhdojë
Si e shihni urdhrin e presidentit Trump për ndërprerjen e programeve të asistencës? A mendoni se kjo do të ndikojë në punën e Prokurorisë së Posaçme?
Urdhri i presidentit Trump për auditimin e shpenzimeve është një premtim elektoral që ai ua kishte bërë zgjedhësve amerikanë prej më shumë se një viti. Pezullimi 90-ditor nuk do të ndikojë në vazhdimësinë e asistencës dhe bashkëpunimit me organet ligjzbatuese të SHBA-ve. Mbështetja politike, administrative dhe institucionale do të jetë edhe më e fortë nën një presidencë të re të Trump, i cili në platformën e tij elektorale dhe në vizionin për Ballkanin Perëndimor ka përcaktuar qartë një luftë të pakompromis ndaj elementëve korruptivë dhe pandëshkueshmërisë. Politika amerikane për të luftuar korrupsionin në rajon do të vazhdojë me më shumë intensitet.
Kur fondet ndërpriten, duket sikur edhe vëmendja bie. A do të jetë mbështetja e SHBA-së në këtë periudhë “ngrirje”?
Është e qartë se disa individë të akuzuar për korrupsion e kanë pritur këtë vendim me shpresën se Reforma në Drejtësi do të zhbëhet. Por historia ka treguar se kjo reformë mori mbështetje maksimale dhe u ngrit pikërisht gjatë presidencës së parë të Trump. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve ka luajtur një rol kyç në ngritjen dhe perfeksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, veçanërisht SPAK dhe GJKKO. Prandaj, unë besoj se mbështetja amerikane nuk do të zbehet, pavarësisht pezullimit të përkohshëm të fondeve.
Si e vlerësoni deri tani punën e SPAK?
Unë e vlerësoj pozitivisht punën e SPAK. Për mua, njësia matëse është e thjeshtë: nëse një klasë politike e korruptuar për më shumë se 30 vite, e mbështetur nga oligarkia mediatike dhe ekonomike, është e bashkuar kundër SPAK, atëherë kjo do të thotë që SPAK dhe GJKKO janë në rrugën e duhur. Nuk besoj se këto institucione janë perfekte, por kam besim te vullneti i drejtuesve të tyre për t’i shërbyer ligjit dhe për të qëndruar të pavarur nga influencat politike që përpiqen t’i pengojnë apo t’i kontrollojnë.
Dritan Jahaj: Ndërprerja e ndihmës nga SHBA
mund të krijojë sfida për SPAK, por jo ta ndalojë atë
Nëse do të ndërpriten programet e asistencës nga presidenti Trump, a do të ndikojë kjo në punën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)?
Programet e asistencës nga SHBA dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë shumë të rëndësishme për forcat e ligjit në Shqipëri, përfshirë SPAK-un, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse këto programe reduktohen ose ndërpriten, atëherë do të zvogëlohet mbështetja financiare dhe teknike për SPAK, si dhe mund të dobësohet bashkëpunimi ndërkombëtar. SPAK ka nevojë për burime dhe ekspertizë ndërkombëtare për të zhvilluar hetimet e saj dhe për të trajtuar rastet komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, ndikimi i saktë varet nga shkalla e ndërprerjes së programeve dhe nëse do të ketë burime alternative që mund të kompensojnë këtë humbje. SPAK mund të kërkojë mbështetje nga organizata të tjera ndërkombëtare ose nga partnerët evropianë për të vijuar punën e tij.
A mund të shihet ndërprerja e fondeve si një shenjë e zvogëlimit të angazhimit të SHBA-së në rajon?
SHBA ka qenë një mbështetës i rëndësishëm i reformave në drejtësi dhe forcave të ligjit në Shqipëri, dhe ndërprerja e fondeve mund të interpretohet si një shenjë e uljes së vëmendjes ndaj rajonit. Nëse fondet e SHBA-së për programet e asistencës ndërpriten, është e mundur që kjo të sjellë një ulje të përqIndritmit ndërkombëtar ndaj çështjeve që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se SHBA nuk është i vetmi aktor ndërkombëtar që mbështet këto përpjekje në Shqipëri. Bashkimi Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare mund të marrin një rol më aktiv për të kompensuar një ndërprerje të mundshme të mbështetjes nga SHBA. Për më tepër, angazhimi i qeverisë shqiptare dhe vendosja e prioriteteve të brendshme do të jenë vendimtare për suksesin e vazhdueshëm të SPAK dhe institucioneve të tjera.
Si e vlerësoni punën e deritanishme të SPAK-ut?
SPAK ka ndërmarrë hetime dhe ka ngritur akuza kundër figurave të larta politike, administrative dhe ekonomike, përfshirë deputetë, ministra dhe zyrtarë të tjerë. Kjo tregon një nivel të caktuar pavarësie dhe guximi në trajtimin e rasteve të ndjeshme. Ekziston një rritje e besimit të publikut në SPAK si një institucion që po lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, çka është e rëndësishme për ndërtimin e besimit në institucionet shtetërore. SPAK ka marrë mbështetje dhe ka bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare si Eurojust, FBI dhe INTERPOL, gjë që ka ndihmuar në trajtimin e rasteve komplekse. Megjithatë, një nga kritikat kryesore mbetet cilësia e hetimeve dhe nevoja për më shumë integritet në vendimmarrje, në mënyrë që drejtësia të shërbejë vetëm ligjit. Në disa raste, SPAK dhe Gjykata e Posaçme nuk kanë respektuar plotësisht parimet e shtetit të së drejtës, si e drejta për një proces të drejtë, pavarësia e gjyqësorit dhe mosparagjykimi. Për shembull, ka pasur raste kur akuzat janë ngritur mbi dëshmi të dobëta ose pa një hetim të plotë, çka ka shkaktuar kritika nga avokatët dhe organizatat e të drejtave të njeriut. Kjo tregon nevojën për një balancë më të mirë midis efikasitetit dhe respektimit të të drejtave procedurale.
Boks
Trump, i vetmi president amerikan që e fillon punën me
kuota nën 50% në historikun e sondazheve Gallup
Nga Eduard Zaloshnja
George Gallup ishte i pari statisticien që zhvilloi sondazhe të opinionit publik, bazuar në një kampion statistikor me rreth 1100 qytetarë të zakonshëm, përfaqësues të një popullsie të madhe disa qindra milionëshe. Kompania e themeluar prej tij më 1935 mbetet lidere botërore e sondazheve të opinionit publik (por ka disa dekada që nuk zhvillon sondazhe elektorale). Qysh nga fillimi i vitit 1961, kompania Gallup ka matur në mënyrë periodike nivelin e miratimit nga publiku amerikan të punës së presidentëve të SHBA-së. Kështu, Presidenti Kenedi e filloi punën e tij më 1961 me nivel miratimi plot 72% dhe nivel mosmiratimi vetëm 6% (shihni grafikun e mëposhtëm). Presidenti Trump e filloi këtë vit mandatin e tij presidencial me nivel miratimi vetëm 47% dhe nivel mosmiratimi plot 48% (e vetmja herë në historikun e sondazheve Gallup kur një president e fillon punën me nivel më të lartë mosmiratimi se miratimi). Ndërsa mandatin e tij të parë (në janar 2017), Presidenti Trump e filloi me rekordin më të ulët të miratimit nga publiku amerikan – vetëm 45%.