Gjuha që vret

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Imer Mushkolaj

Si rrallë ndonjëherë, gjuhë kontaminuese, fyese e linçuese po shpërndahet gjithandej në diskursin publik javët e fundit. Rrjetet sociale janë plot postime që ngjallin urrejtje e padurim ndaj partive të ndryshme politike, zyrtarëve partiakë e shtetërorë, përkrahësve respektivë partiakë e kujt jo tjetër.

Animoziteti ndërpartiak i kultivuar ndër vite ka shpërthyer në akuza e kundërakuza si asnjëherë më parë, teksa frustrimi në mesin e qytetarëve është rritur. E gjithë kjo për shkak të një klase të papërgjegjshme politike, e cila nuk zgjedh as rrugë as mjete për të arritur qëllimet e veta. Kështu veproi edhe me shkaktimin e krizës politike në mesin e pandemisë, duke i acaruar edhe më shumë raportet edhe ashtu të tendosura ndërpartiake, por duke e rritur edhe pakënaqësinë në mesin e qytetarëve.

Nga gjuha fyese e linçuese më së shumti janë të atakuar zyrtarët e partive politike, por edhe militantë e simpatizues të tyre. Por, veçanërisht, nga kjo gjuhë nuk kursehen as gazetarë e opinionistë, të cilët denjojnë të shprehin haptas qëndrimet e veta. Në këtë mënyrë sfera publike është kontaminuar aq shumë, sa që i ka lënë fare pak vend qasjes me mendje të ftohtë e argumentimit logjik.

Akuzat më të rënda i bëjnë militantët partiakë ndër vete. Ata me plot zell mbrojnë opsionet e tyre politike, të cilave u përkasin. Por, ata janë produkt i qasjes së partive politike ndër vite dhe nuk mund të shihen si njerëz që paskan pikur nga diku me qëllimin e vetëm që ta sulmojnë ose denigrojnë kundërshtarin. Për vite me radhë partitë politike kanë promovuar e kultivuar gjuhë denigruese e nënçmuese për rivalët, sa që është e pamundur që kjo të mos bartet edhe te simpatizantët e tyre.

* * *

Mjafton të merret shembull vetëm Kuvendi i Kosovës për të parë se në çfarë derexheje ka rënë institucioni përfaqësues i qytetarëve. Sharje e fyerje nga më të ndryshmet, sulme e akuza e kanë karakterizuar në masë të madhe këtë institucion, në vend që të prodhonte debat e zgjidhje për çështje të rëndësishme për qytetarët.

Ta quash dikë në Kuvend “hajn” e “kriminel” është kthyer, për fat të keq, në diçka krejt normale. Pra, deputetë të zgjedhur me votën e qytetarëve i japin të drejtë vetes që ta denigrojnë rivalin a rivalen politike duke përdorur të tilla akuza, thua se bëhet fjalë për diçka krejt të zakonshme. Siç është kthyer në diçka të zakonshme të fyhen e denigrohen gratë deputete nga kolegët e tyre burra.

Lexo edhe :  Rehabilitimi i Stalinit në Rusi dhe stalinizmi në Shqipëri

Nëse deputetët, politikanët në përgjithësi përdorin një diskurs të tillë, është utopike të presësh se kjo gjuhë nuk do të bartet jashtë sallës së Kuvendit, në rrjetet sociale sidomos, por edhe në hapësirën tjetër të komunikimit publik. Modelet që shfaqin sot pjesa dërmuese e politikanëve në Kosovë janë modele të këqija, të cilat nuk do të duhej në asnjë mënyrë të përbiheshin me lehtësi madje as nga militantët partiakë. Janë modele të papërgjegjshmërisë për fjalën publike, modele të bërjes së prokurorit dhe gjyqtarit për këdo që mendon ndryshe. Janë modele të politikanëve që janë zgjedhur nga një shoqëri me shumë probleme për t’i zgjidhur ato, por që besimin e dhënë e keqpërdorin për kauza individuale e partiake, pa zgjedhur gjuhën që flasin e mënyrën se si i thonë gjërat. Janë modele që nuk e kanë fort dert që, në mënyrën se si e zhvillojnë debatin publik, munden jo vetëm të lëndojnë. Sepse, një fjalë thotë, gjuha vret.

* * *

Sot me lehtësi të padurueshme në rrjetet sociale etiketohet kushdo që një grup mendon se nuk ka të drejtë. Me po të njëjtën lehtësi u vizatohen njerëzve në ballë shënjestra për qitje armësh dhe u dërgohen mesazhe të qarta kërcënuese. Brenda ditës mund të bëhet dikush hero, e tjetri tradhtar, varësisht nga disponimi i militantëve të partive. Brenda ditës mund të thuren lloj-lloj teorish konspirative për rivalë politikë dhe jo vetëm. Brenda ditës mund të krijohen lista “mercenarësh” e “tradhtarësh”, “të paguarish” e “të shiturish” varësisht nga këndvështrimi i partive politike dhe mbështetësve të zjarrtë të tyre.

Përveç denigrimit të tjetrit, ky diskurs synon të zvogëlojë hapësirën për të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe mendojnë lirshëm, jashtë kornizave që dëshirojnë partitë politike. Ky diskurs i rrezikshëm ka për qëllim t’i heshtë zërat ndryshe.

Ky diskurs, kjo gjuhë duhet të marrë fund sa më shpejt dhe kontributin kryesor duhet ta japin partitë politike me thirrjet dhe veprimet për qetësi. Edhe organet tjera përkatëse duhet ta kryejnë punën si duhet. Përndryshe, ekziston rreziku që beteja në rrjetet sociale të bartet në shtëpi, rrugë e kudo tjetër dhe pasojat mund të jenë të mëdha.

Të fundit

Titulli kampion i takon Napolit të Contes, Inter bën detyrën ndaj Comos

Napoli fiton zyrtarisht titullin në Serie A. Napoletanët “kurorëzohen” si kampion në Itali, pas triumfit 2-0 ndaj Cagliarit, në...

Gjykata rrëzon Trump për çështjen e Universitetit të Harvardit

Një gjykatë federale në SHBA ka pezulluar përkohësisht vendimin e administratës Trump për t’i ndaluar Universitetit të Harvardit regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë. Vendimi erdhi disa...

“E pabesueshme!” Një anije mallrash përfundon në kopshtin e një burri norvegjez

Një burrë norvegjez ka folur për momentin “e pabesueshë,” kur u zgjua për të zbuluar se një anije kontejnerësh 135 metra e gjatë ishte...

Një grua sulmoi me thikë 12 persona, gjermanët shohin tmerr me sy

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Gjermani. Sipas mediave të huaja, mësohet se në stacionin e trenit në Hamburg një grua...

Ancelotti prek në zemër tifozët madrilenë: Pas Realit, nuk kam më…

Kundër Real Sociedad në “Bernabeu”, Carlo Ancelotti do drejtojë të shtunën për herë të fundit nga stoli Real Madridin. Trajneri 65-vjeçar doli para mediave...

Lajme të tjera

Web TV