Kjo e martë solli për Spanjën heqjen e ndalesës për fluturimet e drejtpërdrejta nga Italia të vendosura që nga 11 marsi për frenimin e koronavirusit.
Ndalesa u hoq edhe për anijet nga Italia, megjithëse karantina e detyrueshme 14-ditore për udhëtarët që hyjnë në Spanjë, do të mbetet në fuqi.
Ky inkurajim i Spanjës për lehtësimin e masave të izolimit duket se ka ardhur nga rënia e vdekshmërisë nga koronavirusi.
Spanja është një nga vendet evropiane me numrin më të lartë të të prekurve dhe viktimave nga COVID -19.
Në total, ka regjistruar 27,709 viktima dhe mbi 230,000 të infektuar. Por, në 24 orët e fundit, ajo ka raportuar për 59 viktima, që është numri më i ulët në dy muajt e fundit.
Ndërkohë, kryeministri Pedro Sanchez pritet të kërkojë nga parlamenti vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme deri në fund të muajit qershor./Fjala.al